← Genesis (15/50) → |
1. | Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh". |
2. | Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?". |
3. | Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im". |
4. | Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt". |
5. | Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t'i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu". |
6. | Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë. |
7. | Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend". |
8. | Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?". |
9. | Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri". |
10. | Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau. |
11. | Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri. |
12. | Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë. |
13. | Atëherë Zoti i tha Abramit: "Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet. |
14. | Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qënë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha. |
15. | Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur. |
16. | Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse padrejtësia e Amorejve s'ka arritur ende kulmin". |
17. | Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë. |
18. | Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit: |
19. | Kenejtë, Kenizejtë, Kadmonejtë, |
20. | Hitejtë, Perezejtë, Refejtë, |
21. | Amorejtë, Kanaanejtë, Girgazejtë dhe Jebuzejtë". |
← Genesis (15/50) → |