← Genesis (14/50) → |
1. | Por ndodhi në kohën e Amrafelit, mbret i Shinarit, e Ariokut, mbret i Elasarit e Kedorlaomerit, mbret i Elamit dhe i Tidealit, mbret i kombeve, |
2. | që ata i bënë luftë Beraut, mbret i Sodomës, Birshës, mbret i Gomorës, Shinabit, mbret i Admahut, Shemeberit, mbret i Ceboimit dhe mbretit të Belës (që është Coari). |
3. | Tërë këta të fundit u grumbulluan në luginën e Sidimit (që është Deti i Kripur). |
4. | Për dymbëdhjetë vjet ata qenë të nënshtruar nga Kedorlaomeri, por vitin e trembëdhjetë ngritën krye. |
5. | Vitin e katërmbëdhjetë Kedorlaomeri dhe mbretërit që ishin me të erdhën bashkë me të dhe i shpërndanë gjigantët në Ashterot-Karnaim, Zuzimët në Ham, Emimët në Shaveh-Kiriataim |
6. | dhe Horejtë në malet e tyre të Seirit deri në El-Paran, që ndodhet pranë shkretëtirës. |
7. | Pastaj u kthyen pas dhe erdhën në En-Mishpat (që është Kadeshi), plaçkitën tërë territorin e Amalekitëve si dhe të Amorejve që banonin në Hatsacon-Tamar. |
8. | Atëherë mbreti i Sodomës, mbreti i Gomorës, mbreti i Admahut, mbreti i Ceboimit dhe mbreti i Belës (që është Coari) dolën dhe u rreshtuan në luftë kundër tyre, në luginën e Sidimit; |
9. | kundër Kedorlaomerit mbret i Elamit, Tidealit mbret i kombeve, Amrafelit mbret i Shinarit dhe Ariokut mbret i Elasarit; katër mbretër kundër pesë. |
10. | Por lugina e Sidimit ishte plot me puse bitumi; dhe mbretërit e Sodomës dhe të Gomorës ua mbathën këmbëve dhe ranë brënda tyre; dhe ata që shpëtuan, shkuan në mal. |
11. | Dhe kështu fituesit shtinë në dorë tërë pasuritë e Sodomës dhe të Gomorës dhe tërë ushqimet e tyre, dhe ikën. |
12. | Morën me vete edhe Lotin, djali i vëllait të Abramit, bashkë me pasurinë e tij, dhe ikën. Loti banonte në Sodomë. |
13. | Por njëri nga të ikurit erdhi dhe ia tha Abram Hebreut, që banonte në lisat e Mamres, Amoreosit, vëlla i Eshkollit dhe vëlla i Anerit, që kishin lidhur aleancë me Abramin. |
14. | Kur Abrami mësoi se vëllai i tij ishte zënë rob, ai armatosi njerëzit e stërvitur, shërbyes të lindur në shtëpinë e tij, gjithsej treqind e tetëmbëdhjetë veta dhe i ndoqi mbretërit deri në Dan. |
15. | Ai i ndau forcat e tij kundër tyre natën, dhe me shërbyesit e tij i sulmoi dhe i ndoqi deri në Hobah, që ndodhet në të majtë të Damaskut. |
16. | Kështu ai rimori tërë pasurinë dhe solli me vete edhe Lotin, të vëllanë, dhe tërë pasurinë e tij, si edhe gratë dhe popullin. |
17. | Mbas kthimit të tij nga disfata e Kedorlaomerit dhe të mbretërve që ishin me të, mbreti i Sodomës vajti ta presë në luginën e Shavehut (që është Lugina e mbretit). |
18. | Atëherë Melkisedeku, mbret i Salemit, i shpuri bukë dhe verë. Ai ishte prift i Shumë të Lartit Perëndi. |
19. | Dhe bekoi Abramin, duke thënë: "Qoftë i bekuar Abrami nga Shumë i Larti Perëndi, sundimtar i qiejve dhe i tokës! |
20. | Qoftë i bekuar Shumë i Larti Perëndi, që të ka dhënë në dorë armiqtë e tu!". Dhe Abrami i dha një të dhjetën e çdo gjëje. |
21. | Pastaj mbreti i Sodomës i tha Abramit: "Nëm personat dhe merr për vete pasuritë". |
22. | Por Abrami iu përgjegj mbretit të Sodomës: "Unë kam ngritur dorën time drejt Zotit, Perëndisë Shumë të Lartë, zotërues i qiejve dhe i tokës, |
23. | që nuk do të merrja asgjë nga ajo që të përket, as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh, me qëllim që ti të mos thuash: "Unë e pasurova Abramin". |
24. | Nuk do të marr asgjë me vete, me përjashtim të atyreve që kanë ngrënë të rinjtë dhe të pjesës që u përket njerëzve që kanë ardhur me mua: Aneri, Eshkol dhe Mamreu; lëri që këta të marrin pjesën që u takon". |
← Genesis (14/50) → |