← Genesis (11/50) → |
1. | Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë. |
2. | Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje. |
3. | Dhe i thanë njëri tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t'i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit. |
4. | Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t'i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut". |
5. | Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar. |
6. | Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë. |
7. | O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit". |
8. | Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. |
9. | Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut. |
10. | Këta janë pasardhësit e Semit. Në moshën njëqind vjeç Semit i lindi Arpakshadi, pikërisht dy vjet pas përmbytjes. |
11. | Mbas lindjes të Arpakshadit, Semi jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
12. | Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu. |
13. | Mbas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
14. | Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi. |
15. | Mbas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
16. | Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe lindi Pelegu. |
17. | Mbas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
18. | Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu. |
19. | Mbas lindjes të Reut, Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
20. | Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu. |
21. | Mbas lindjes të Serugut, Reu jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
22. | Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori; |
23. | mbas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
24. | Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu; |
25. | mbas lindjes së Terahut, Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija. |
26. | Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani. |
27. | Këta janë pasardhësit e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti. |
28. | Harani vdiq në prani të Terahut, babait të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të Kaldeasve. |
29. | Dhe Abrami dhe Nahori morën gra: emri i gruas së Abramit ishte Saraj dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milkah, e bija e Haranit, i ati i Milkahut dhe i ati i Iskahut. |
30. | Por Saraj ishte shterpë, nuk kishte fëmijë. |
31. | Pastaj Terahu mori të birin Abram dhe Lotin, të birin e Haranit, domethënë djali i të birit, dhe Sarajn nusen e tij, gruaja e djalit të tij Abram, dhe dolën bashkë nga Ur i Kaldeasve për të vajtur në vendin e Kanaanëve; por kur arritën në Haran, ata u vendosën aty. |
32. | Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran. |
← Genesis (11/50) → |