← Ezra (6/10) → |
1. | Atëherë mbreti Dar urdhëroi që të bëheshin kërkime në shtëpinë e arkivave ku ruheshin thesaret në Babiloni; |
2. | dhe në Ahmetha, në kështjellën që është në provincën e Medisë, u gjet një rrotull, dhe në të një dokument të shkruar kështu: |
3. | "Në vitin e parë të mbretit Kir, mbreti Kir u shpall një urdhëresë lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem: "Të rindërtohet tempulli, vendi ku ofrohen flijime. Të hidhen mirë themelet e tij. Të ketë një lartësi prej gjashtëdhjetë kubitësh dhe një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh, |
4. | me tri radhë gurësh të mëdhenj dhe një radhë lëndë të re druri; dhe shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror. |
5. | Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë". |
6. | Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, Afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi! |
7. | Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i Judejve dhe pleqtë e Judejve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj. |
8. | Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e Judejve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t'u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten. |
9. | Gjërat e nevojshme për olokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa mosplotësuar kurrë kërkesat e priftërinjve që janë në Jeruzalem, |
10. | me qëllim që t'i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij. |
11. | Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrëmbëron këtë dekret, t'i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij. |
12. | Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Darius, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri". |
13. | Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar. |
14. | Kështu pleqtë e Judejve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhërit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artasersit, mbretit të Persisë. |
15. | Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të Adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit. |
16. | Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, Levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë. |
17. | Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin. |
18. | Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe Levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut. |
19. | Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë, |
20. | sepse priftërinjtë dhe Levitët ishin pastruar bashkarisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre. |
21. | Kështu bijtë e Izraelit që ishin kthyer nga robëria e hëngrën Pashkën bashkë me tërë ata që ishin ndarë nga papastërtia e popujve të vendit dhe që ishin bashkuar me ta për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit. |
22. | Dhe kremtuan me gëzim shtatë ditë me radhë festën e të Ndormëve, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t'i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit. |
← Ezra (6/10) → |