← Ezekiel (9/48) → |
1. | Pastaj bërtiti me zë të lartë në veshët e mi, duke thënë: "Të afrohen ata që do të ndëshkojnë qytetin, secili me armën e tij të shkatërrimit në dorë". |
2. | Dhe ja ku erdhën nga drejtimi i portës së sipërme që shikon nga veriu gjashtë burra, secili me armën e tij të shfarosjes në dorë. Në mes tyre ishte një burrë me rroba prej liri, që kishte një kallamar shkruesi prej briri në krah. Me të arritur, ata u ndalën pranë altarit prej bronzi. |
3. | Atëherë lavdia e Perëndisë të Izraelit u ngrit nga kerubini mbi të cilin rrinte, dhe u drejtua nga pragu i tempullit. Ajo thirri njeriun e veshur me rroba liri, që kishte kallamarin prej briri të shkruesit në krah, |
4. | dhe Zoti tha: "Kalo në mes të qytetit, në mes të Jeruzalemit, dhe bëj një shenjë mbi ballin e njerëzve që psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen në mes tij". |
5. | Dhe të tjerëve u tha, në mënyrë që unë ta dëgjoja: "Kaloni nëpër qytet pas tij dhe goditni; syrit tuaj të mos i vijë keq dhe mos kini mëshirë aspak. |
6. | Vritni deri në shfarosje pleq, të rinj, virgjiresha, fëmijë dhe gra, por mos u afroni asnjerit mbi të cilin është shenja; filloni nga shenjtërorja ime". Kështu ata filluan me pleqtë që ishin para tempullit. |
7. | Pastaj u tha atyre: "Ndotni tempullin dhe mbushni oborret me të vrarë. Dilni!". Atëherë ata dolën dhe bënë kërdinë në qytet. |
8. | Ndërsa ata po bënin kërdi dhe unë kisha mbetur vetëm, rashë me fytyrë dhe bërtita, duke thënë: "Oh, Zot, Zot, a do ta shkatërrosh ti tërë mbetjen e Izraelit, duke e zbrazur tërbimin tënd mbi Jeruzalemin?". |
9. | Ai m'u përgjigj: "Paudhësia e shtëpisë së Izraelit dhe asaj të Judës është jashtëzakonisht e madhe; vendi është plot gjak dhe qyteti plot me korrupsion. Në fakt thonë: "Zoti e ka braktisur vendin, Zoti nuk shikon". |
10. | Prandaj edhe syrit tim nuk do t'i vijë keq dhe nuk do të kem aspak mëshirë, por do të bëj që t'u bjerë mbi kokë sjellja e tyre". |
11. | Dhe ja, njeriu i veshur me rroba liri, që kishte një kallamar prej briri si shkrues në krah, bëri raportimin e tij, duke thënë: "Veprova ashtu si më urdhërove". |
← Ezekiel (9/48) → |