← Ezekiel (48/48) |
1. | Këto janë emrat e fiseve: nga kufiri verior, gjatë rrugës së Hethlonit, në hyrje të Hamathit deri në Hatsar-Enon, në kufi me Damaskun në veri drejt Hamathit, nga krahu lindor deri në krahun perëndimor: një pjesë për Danin. |
2. | Në kufirin e Danit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Asherin; |
3. | Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Neftalin. |
4. | Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Manasin. |
5. | Në kufirin e Manasit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Efraimin. |
6. | Në kufirin e Efraimit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Rubenin. |
7. | Në kufirin e Rubenit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Judën. |
8. | Në kufirin e Judës, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor, do të jetë pjesa e vendit që do ta ofroni si dhuratë, e gjerë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjatë sa pjesët e tjera, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor; në mes të saj do të jetë shenjtërorja. |
9. | Pjesa që do t'i ofroni si dhuratë Zotit do të ketë një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë. |
10. | Kjo pjesë e shenjtë do t'u përkasë priftërinjve; njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi në veri, dhjetëmijë gjerësi në perëndim, dhjetëmijë gjerësi në lindje dhe njëzet e pesëmijë gjatësi në jug; në mes të saj do të jetë shenjtërorja e Zotit. |
11. | Ajo do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, ndër bijtë e Tsadokut, që më kanë shërbyer dhe që nuk devijuan kur devijuan bijtë e Izraelit, dhe ashtu si devijuan përkundrazi Levitët. |
12. | Pjesa që do t'u ofrohet atyre do të merret nga pjesa e ofruar dhuratë e vendit, një gjë shumë e shenjtë, pranë territorit të Levitëve. |
13. | Përballë territorit të priftërinjve, Levitët do të kenë një sipërfaqe prej njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi dhe dhjetëmijë gjerësi; tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë dhe gjerësia dhjetëmijë. |
14. | Ata nuk do të mund as ta shesin as ta këmbejnë; nuk do të mund ta shkëputin pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin. |
15. | Pesëmijë kubitët e gjerësisë që do të mbeten përballë njëzet e pesë mijëve, do të caktohen për përdorim profan për qytetin, për banesa dhe për toka për kullotë; qyteti do të jetë në mes. |
16. | Përmasat e tij do të jenë këto: ana veriore do të jetë katërmijë e pesëqind kubitë, ana jugore katërmijë e pesëqind, ana lindore katërmijë e pesëqind, ana perëndimore katërmijë e pesëqind. |
17. | Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: dyqind e pesëdhjetë kubitë në veri, dyqind e pesëdhjetë në jug, dyqind e pesëdhjetë në lindje dhe dyqind e pesëdhjetë në perëndim. |
18. | Kusuri i gjatësisë, gjatë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, do të jetë dhjetëmijë kubitë në lindje dhe dhjetëmijë në perëndim; ajo do të jetë pranë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, dhe prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punonjësit e qytetit. |
19. | Punonjësit e qytetit, që do ta punojnë, do të vijnë nga të gjitha fiset e Izraelit. |
20. | Gjithë pjesa e ofruar si dhuratë do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë për njëzet e pesëmijë, një katror i përsosur. Ju do të ofroni, si zotërim të qytetit, pjesën e shenjtë të ofruar si dhuratë. |
21. | Kusuri do të jetë i princit; nga njëra anë dhe nga ana tjetër e pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë dhe të zotërimit të qytetit, ballë njëzet e pesëmijë kubitëve të pjesës së ofruar si dhuratë deri në kufirin lindor, dhe në perëndim ballë njëzet e pesëmijë kubitëve në drejtim të kufirit perëndimor përbri pjesëve të fiseve; kjo do të jetë e princit; pjesa e shenjtë e ofruar si dhuratë dhe shenjtërorja do të jenë në mes. |
22. | Kështu, duke përjashtuar zotërimin e Levitëve dhe zotërimin e qytetit që gjenden në mes të asaj që i përket princit, sipërfaqja midis kufirit të Judës dhe kufirit të Beniaminit do t'i përkasë princit. |
23. | Për kusurin e fiseve, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Beniaminin. |
24. | Në kufirin e Beniaminit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Simeonin. |
25. | Në kufirin e Simeonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Isakarin. |
26. | Në kufirin e Isakarit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Zabulonin. |
27. | Në kufirin e Zabulonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Gadin. |
28. | Në kufirin e Gadit, nga ana jugore në drejtim të jugut, kufiri do të shkojë nga Tamari në ujërat e Meribahut afër Kadeshit, dhe pastaj gjatë Detit të Madh. |
29. | Ky është vendi që do t'u ndani me short në trashëgimi fiseve të Izraelit, dhe këto janë pjesët", thotë Zoti, Zoti. |
30. | "Këto janë daljet e qytetit: nga ana veriore do të maten katërmijë e pesëqind kubitë. |
31. | Portat e qytetit do të mbajnë emrat e fiseve të Izraelit; në veri do të ketë tri porta: një portë për Rubenin, një portë për Judën dhe një portë për Levin. |
32. | Nga ana lindore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Jozefin, një portë për Beniaminin dhe një portë për Danin. |
33. | Nga ana jugore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Simeonin, një portë për Isakarin dhe një portë për Zabulonin. |
34. | Nga ana perëndimore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Gadin, një portë për Asherin dhe një portë për Neftalin. |
35. | Gjithë perimetri do të jetë tetëmbëdhjetëmijë kubitë. Prej kësaj ditë emri i qytetit do të jetë: "Zoti është atje"". |
← Ezekiel (48/48) |