← Ezekiel (42/48) → |
1. | Pastaj më nxori në oborrin e jashtëm nga ana e veriut dhe më çoi në dhomat që ndodheshin përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimit në drejtim të veriut. |
2. | Konstruksioni i fasadës drejt veriut kishte një gjatësi prej njëqind kubitësh dhe një gjërësi prej pesëdhjetë kubitësh. |
3. | Përballë oborrit të brendshëm prej njëzet kubitësh dhe përballë kalldrëmit të oborrit të jashtëm kishte një galeri mbi tjetrën me tre kate. |
4. | Përpara dhomave kishte një kalim të brendshëm, që ishte i gjerë dhjetë kubitë dhe i gjatë njëqind kubitë; portat e tyre shikonin nga veriu. |
5. | Dhomat e sipërme ishin më të ngushta, sepse galeritë zinin më tepër hapësirë se galeritë e poshtme dhe të ndërmjetme të ndërtimit. |
6. | Duke qenë se ishin me tre kate dhe nuk kishin shtylla si shtyllat e oborreve prandaj nga toka dhomat e sipërme ishin më të ngushta se ato të poshtme dhe të ndërmjetme. |
7. | Muri i jashtëm, paralel me dhomat nga ana e oborrit të jashtëm, ballë dhomave, kishte një gjatësi prej pesëdhejtë kubitësh; |
8. | në fakt gjatësia e dhomave nga ana e oborrit të jashtëm ishte pesëdhjetë kubitë, ndërsa nga ana e faqes së shenjtërores ishte njëqind kubitë. |
9. | Poshtë këtyre dhomave kishte një hyrje nga ana e lindjes, për atë që hynte në to nga oborri i jashtëm. |
10. | Në murin e gjerë të oborrit në drejtim të lindjes, përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimitit, kishte dhoma. |
11. | Përpara tyre kishte një kalim të ngjashëm me atë të dhomave që ishin nga ana e veriut; ato kishin po atë gjatësi e gjerësi, me të gjitha daljet dhe portat që ndiqnin të njëjtat kritere. |
12. | Në përputhje me portat e dhomave që ishin nga jugu, kishte një portë në krye të kalimit pikërisht përpara murit në drejtim të lindjes. |
13. | Ai më tha: "Dhomat nga veriu dhe dhomat nga jugu që ndodhen përballë hapësirës boshe janë dhoma të shenjta, ku priftërinjtë që i afrohen Zotit do të hanë gjërat shumë të shenjta; atje do të depozitojnë gjërat shumë të shenjta, domethënë blatimet e ushqimit dhe blatimet për mëkatin dhe për shkeljen, sepse ai vend është i shenjtë. |
14. | Kur priftërinjtë të kenë hyrë, nuk do të dalin më nga vendi i shenjtë në oborrin e jashtëm, por do të vendojnë aty rrobat e tyre me të cilat kryejnë shërbimin, sepse janë të shenjta; do të veshin rroba të tjera dhe kështu do të mund t'i afrohen asaj që i përket popullit". |
15. | Mbasi mbaroi së maturi pjesën e brendshme të tempullit, më nxori nga porta që shikonte nga lindja dhe mati pjesën e rrethuar rreth e qark. |
16. | Mati anën lindore me kallamin matës: pesëqind kubitë me kallamin matës rreth e qark. |
17. | Mati anën veriore: pesëqind kubitë me kallamin për matës rreth e qark, |
18. | Mati anën jugore me kallamin matës: pesëqind kubitë. |
19. | U kthye nga ana perëndore dhe mati: pesëqind kubitë me kallamin matës. |
20. | Mati sipërfaqen nga të katër anët: kishte rreth e qark një mur që ishte i gjatë pesëqind kubitë dhe i gjërë pesëqind kubitë, për të ndarë vendin e shenjtë nga ai profan. |
← Ezekiel (42/48) → |