← Ezekiel (37/48) → |
1. | Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka. |
2. | Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata. |
3. | Më tha: "Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?". Unë u përgjigja: "O Zot, o Zot, ti e di". |
4. | Më tha akoma: "Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit. |
5. | Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni. |
6. | Do të vë mbi ju mishin, do t'ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti". |
7. | Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës. |
8. | Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato. |
9. | Atëherë ai më tha: "Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë". |
10. | Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe. |
11. | Pastaj më tha: "Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: "Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur". |
12. | Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t'ju çoj përsëri në vendin e Izraelit. |
13. | Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im. |
14. | Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t'ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë", thotë Zoti. |
15. | Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë: |
16. | "Ti, bir njeriu, merr një copë dru dhe mbi të shkruaj: "Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, shokë të tij". Pastaj merr një copë tjetër dru dhe shkruaj mbi të: "Për Jozefin, bastun i Efraimit dhe i tërë shtëpisë së Izraelit, shokë të tij". |
17. | Afroi pastaj njeri te tjetri në një dru të vetëm, me qëllim që të bëhen një gjë e vetme në dorën tënde. |
18. | Kur bijtë e popullit tënd do të të flasin, duke thënë: "A do të na shpjegosh ç'kuptim kanë këto gjëra për ty?", |
19. | ti do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr drurin e Jozefit, që është në dorë të Efraimit, dhe fiset e Izraelit që janë shokë të tij, dhe do t'i bashkoj me këtë, domethënë me drurin e Judës, për ta bërë një dru të vetëm; kështu ata do të bëhen një gjë e vetme në dorën time. |
20. | Mbaj në dorën tënde para syve të tyre drurët mbi të cilët ke shkruar, |
21. | dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t'i mbledh nga çdo anë dhe do t'i çoj përsëri në vendin e tyre, |
22. | dhe do të bëj një komb të vetëm prej tyre në vend, në malet e Izraelit; një mbret i vetëm do të mbretërojë mbi të gjithë ata; nuk do të jenë më dy kombe, as do të ndahen më në dy mbretëri. |
23. | Nuk do të ndoten më me idhujt e tyre, me veprimet e tyre të neveritshme dhe me gjithë shkeljet e tyre; do t'i çliroj nga të gjitha vendet ku kanë banuar dhe ku kanë kryer mëkate, dhe do t'i pastroj; kështu do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre. |
24. | Shërbëtori im David do të jetë mbret mbi ta dhe do të ketë një bari të vetëm për të gjithë; ata do të ecin sipas dekreteve të mia, do të respektojnë statutet e mia dhe do t'i zbatojnë në praktikë. |
25. | Dhe do të banojnë në vendin që i dhashë shërbëtorit tim Jakob, atje ku banuan etërit tuaj. Do të banojnë aty ata, bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre për jetë dhe shërbëtori im David do të jetë princi i tyre përjetë. |
26. | Do të lidh me ta një besëlidhje paqeje; do të jetë një besëlidhje e përjetshme me ta; do t'i bëj të qëndrueshëm, do t'i shumoj dhe do të vë shenjtëroren time në mes tyre përjetë. |
27. | Banesa ime do të jetë pranë tyre; po, po unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im. |
28. | Edhe kombet do të pranojnë që unë, Zoti, e shenjtëroj Izraelin, kur shenjtërorja ime të jetë në mes tyre përjetë". |
← Ezekiel (37/48) → |