← Ezekiel (29/48) → |
1. | Vitin e dhjetë, në muajin e dhjetë, ditën e dymbëdhjetë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë: |
2. | "Bir njeriu, kthe fytyrën tënde kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe profetizo kundër tij dhe kundër tërë Egjiptit. |
3. | Fol dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Faraon, mbret i Egjiptit, dragua i madh, që rri në mes të lumenjve të tu dhe që ke thënë: "Lumi im është imi dhe e kam bërë unë vetë". |
4. | Do të vendos gremça në nofullat e tua dhe do të bëj që peshqit e lumenjve të tu të ngjiten në luspat e tua; pastaj do të të bëj të dalësh në mes të lumenjve të tu dhe gjithë peshqit e lumenjve të tua do të ngjiten me luspat e tu. |
5. | Do të të hedh në shkretëtirë, ty dhe tërë peshqit e lumenjve të tu, dhe do të biesh në fushë të hapur, nuk do të të varrosin as nuk do të mbledhën; do të të jap si ushqim kafshëve të tokës dhe shpendëve të qiellit. |
6. | Atëherë tërë banorët e Egjiptit do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse kanë qenë për shtëpinë e Izraelit si një mbështetje prej kallami. |
7. | Kur të kanë kapur për dore, je thyer dhe u ke copëtuar atyre gjithë shpatullën; kur u mbështetën te ti, u theve dhe ke bërë të tronditen tërë ijët e tyre". |
8. | Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ty shpatën dhe do të shkatërroj mes teje njerëz dhe kafshë; |
9. | kështu vendi i Egjiptit do të bëhet një mjerim dhe një shkreti, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse ai ka thënë: "Lumi është imi dhe e kam bërë unë vetë". |
10. | Prandaj ja, unë jam kundër teje dhe lumit tënd; do ta katandis vendin e Egjiptit në një mjerim të plotë dhe në shkreti nga Migdoli deri në Sienë, deri në kufijtë me Etiopinë. |
11. | Nuk do të kalojë asnjë këmbë njeriu, as do të kalojë ndonjë këmbë kafshe, dhe nuk do të banohet për dyzet vjetë me radhë. |
12. | Do të bëj vendin e Egjiptit një shkreti midis vendeve të shkretuara, dhe qytetet e tij do të jenë një shkreti për dyzet vjet, në mes të qyteteve të shkatërruara; do t'i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t'i hedh nëpër vende të ndryshme". |
13. | Megjithatë kështu thotë Zoti, Zoti. "Në fundin e dyzet vjetëve unë do t'i bashkoj Egjiptasit ndër popujt nëpër të cilët ishin shpërndarë. |
14. | Do t'i riçoj Egjiptasit në shtëpi nga robëria dhe do t'i bëj që të kthehen në vendin e Pathrosit, në vendlindjen e tyre, dhe atje do të jenë një mbretëri e përulur. |
15. | Do të jetë më e përulura midis mbretërive dhe nuk do të ngrihet më mbi kombet; do të pakësoj numrin e tyre, me qëllim që të mos sundojë më mbi kombet. |
16. | Ai nuk do të jetë më burim besimi për shtëpinë e Izraelit, por do t'u kujtojë fajin kur u drejtoheshin për ndihmë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti". |
17. | Në vitin e njëzeteshtatë, në muajin e parë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: |
18. | "Bir njeriu, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, e vuri ushtrinë e tij në një shërbim të rëndë kundër Tiros; çdo kokë është bërë e shogët dhe çdo shpatull e rrjepur; por as ai, as ushtria e tij nuk kanë nxjerrë nga Tiro ndonjë shpërblim për mundin që kanë bërë kundër tij". |
19. | Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë i jap Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, vendin e Egjiptit; ai do të marrë pasuritë e tij; ai do të marrë me vete robër dhe do ta plaçkitë; dhe ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij. |
20. | Për mundin që ke bërë kundër tij unë i jap vendin e Egjiptit, sepse kanë punuar për mua", thotë Zoti, Zoti. |
21. | "Atë ditë unë do ta rilind fuqinë e shtëpisë së Izraelit dhe do të hap gojën tënde në mes të tyre. Atëherë ata do të pranojnë që unë jam Zoti". |
← Ezekiel (29/48) → |