← Ezekiel (28/48) → |
1. | Fjala e Zotit mu drejtua, duke thënë: |
2. | "Bir njeriu, i thuaj princit të Tiros: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se zemra jote është ngritur dhe ke thënë: "Unë jam një perëndi; unë ulem mbi një fron perëndish në zemrën e deteve", ndërsa je një njeri dhe jo një perëndi, ndonëse e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë. |
3. | Ja, ti je më i urtë se Danieli, asnjë sekret nuk mbetet i fshehur për ty. |
4. | Me diturinë tënde dhe zgjuarësinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua; |
5. | me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur". |
6. | Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë, |
7. | prandaj ja, unë do të sjell kundër teje kombet më të tmerrshme; këta do të zhveshin shpatat e tyre kundër shkëlqimit të diturisë sate dhe do të ndotin bukurinë tënde. |
8. | Do të të zbresin në gropë dhe ti do të vdesësh nga vdekja e atyre që janë shpuar në zemër të deteve. |
9. | A do të vazhdosh të thuash: "Unë jam një perëndi", përpara atij që do të të vrasë? Por do të jesh një njeri dhe jo një zot në duart e atij që do të të shpojë. |
10. | Ti do të vdesësh nga vdekja e të parrethprerëve, nga dora e huaj, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti. |
11. | Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: |
12. | "Bir njeriu ngri një vajtim për mbretin e Tiros dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria. |
13. | Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me lloj lloj gurësh të çmuar: rubina, topaze, diamante, krizolit oniks, diaspre, safire, karbonke, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove. |
14. | Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri. |
15. | Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, deri sa nuk u zbulua te ti çoroditja. |
16. | Nga shkaku i bollëkut të tregtisë sate, u mbushe me dhunë dhe mëkatove; prandaj të kam përzënë si një profan nga mali i Perëndisë dhe të kam shkatërruar, o kerubin mbrojtës në mes gurësh zjarri. |
17. | Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd. Unë po të hedh për tokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin. |
18. | Në morinë e paudhësive të tua, me ligësinë e tregtisë sate ke përdhosur shenjtëroret e tua. Prandaj nxora nga mesi yt një zjarr që të ka gllabëruar, dhe të kam katandisur në hi mbi tokë përpara syve të atyre që të shikonin. |
19. | Tërë ata që të njihnin ndër popujt mbeten të habitur prej teje; je bërë objekt tmerri dhe nuk do të ekzistosh kurrë më". |
20. | Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: |
21. | "Bir njeriu, kthe fytyrën drejt Sidonit dhe profetizo kundër tij, |
22. | dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Sidon, dhe do të përvëlohem në mes teje. Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të zbatoj në mes të tij gjykimet e mia dhe do të shënjtërohem tek ai. |
23. | Do të dërgoj mbi të murtajën dhe gjak në rrugët e tij; në mes të tij do të bien të vrarët nga shpata, dërguar nga çdo anë kundër saj. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti. |
24. | Dhe nuk do të ketë më për shtëpinë e Izraelit asnjë gjemb apo ferrë që midis gjithë fqinjve të tij që e përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti". |
25. | Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të kem grumbulluar ata të shtëpisë së Izraelit nga mesi i popujve ndër të cilët janë shpërndarë dhe të shenjtërohem tek ata në sytë e kombeve, ata do të banojnë në vendin e tyre, që i dhashë shërbëtorit Jakob. |
26. | Do të banojnë të sigurt, do të ndërtojnë shtëpi dhe do të mbjellin vreshta; po, do të banojnë të sigurt, kur do të zbatoj gjykimet e mia mbi të gjithë ata që i përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre". |
← Ezekiel (28/48) → |