← Ezekiel (22/48) → |
1. | Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: |
2. | "Tani, bir njeriu, nuk do të gjykosh ti, nuk do ta gjykosh qytetin gjakatar? Bëji, pra, të njohura të gjitha veprimet e tij të neveritshme. |
3. | Pastaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Qyteti derdh gjak në mes të tij për të sjellë kohën e tij; përveç kësaj bën idhuj kundër vetvetes për t'u ndotur. |
4. | Për gjakun që ke derdhur je bërë fajtor dhe je ndotur për idhujt që ke sajuar. Ke afruar ditët e tua dhe ke arritur në fund të viteve të tua; prandaj do të të bëj turpin e kombeve dhe objekt talljeje për të gjitha vendet. |
5. | Ata që janë afër dhe ata që janë larg teje do të tallen me ty o i molepsur për lavdi dhe plot çrregullim. |
6. | Ja princat e Izraelit: secili ka përdorur pushtetin e tij për të derdhur gjak te ti. |
7. | Te ti përçmohet ati dhe nëna, në mes teje shtypet i huaji, te ti keqtrajtohet jetimi dhe e veja. |
8. | Ti ke përçmar gjërat e mia të shtrënjta dhe ke përdhour të shtunat e mia. |
9. | Te ti ka njerëz që shpifin për të derdhur gjak, te ti ka njerëz që hanë mbi male, në mes teje ka njerëz që kryejnë kobe. |
10. | Te ti zbulohet lakuriqësia e atit, te ti poshtërohet gruaja gjatë papastërtisë së saj. |
11. | Dikush kryen një veprim të neveritshëm me gruan e të afërmit të tij, dikush tjetër ndot me incest nusen e të birit, një tjetër akoma poshtëron motrën e tij, bijën e atit të tij. |
12. | Te ti pranohen dhurata për të derdhur gjak; ti kërkon kamatë të lartë, ti ke realizuar fitime nga i afërti dhe më ke harruar mua", thotë Zoti, Zoti. |
13. | "Por ja, unë rrah duart për fitimin e pandershëm që ke nxjerrë dhe për gjakun e derdhur që është në mes teje. |
14. | A do të mund të qëndrojë zemra jote ose a do të mund të qëndrojnë të forta duart e tua në ditët kur unë do të veproj kundër teje? Unë, Zoti, fola dhe do ta kryej. |
15. | Unë do të të shpërndaj midis kombeve, do të të shkapërdaj midis vendeve dhe do të eleminoj papastërtinë tënde prej teje. |
16. | Ti do të përdhosësh vetveten në sytë e kombeve dhe do të pranosh që unë jam Zoti". |
17. | Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: |
18. | "Bir njeriu, shtëpia e Izraelit është bërë për mua tërë skorje: janë të gjithë bronz, kallaj, hekur dhe plumb në mes të një furre; janë bërë skorje argjëndi". |
19. | Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se të gjithë ju jeni bërë skorje të shumta, ja, unë do t'ju mbledh në mes të Jeruzalemit. |
20. | Ashtu si mblidhet argjëndi, bronzi, hekuri, plumbi dhe kallaji në mes të furrës dhe mbi ta i fryjnë zjarrit për t'i shkrirë, kështu në zemërimin tim dhe në tërbimin tim do t'ju mbledh, do t'ju fus atje dhe do t'ju shkrij. |
21. | Do t'ju mbledh dhe do të fryj mbi ju me zjarrin e zemërimit tim dhe ju do të shkriheni në mes të tij. |
22. | Ashtu si shkrihet argjendi në mes të furrës, kështu dhe ju do të shkriheni në mes të qytetit; dhe do të pranoni që unë, Zoti, kam derdhur mbi ju tërbimin tim". |
23. | Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë: |
24. | "Bir njeriu, i thuaj Jeruzalemit: Ti je një tokë që nuk është pastruar ose lagur nga shiu në një ditë indinjate. |
25. | Komploti i profetëve të tij në mes të tij është si një luan që ulërin dhe shqyen gjahun, ata i gllabërojnë njerëzit, përvetësojnë thesaret dhe gjërat e çmueshme, shtojnë të vejat në mes të tij. |
26. | Priftërinjtë e tij shkelin ligjin tim dhe përdhosin gjërat e mia të shenjta, nuk bëjnë dallim midis asaj që është e shenjtë dhe jo e shenjtë, nuk e bëjnë të njohur ndryshimin ndërmjet të papastrës dhe të pastrës dhe i largojnë sytë nga të shtunat e mia, prandaj jam përdhosur në mes tyre. |
27. | Krerët e tij në mes të tij janë si ujqër që shqyejnë gjahun për të derdhur gjak, për të shkatërruar shpirtëra, për të realizuar një fitim jo të drejtë. |
28. | Profetët e tij suvatojnë për ata me llaç që nuk mban, duke pasur vegime të rreme dhe duke shqiptuar shortari të gënjeshtërta për ta, dhe thonë: "Kështu thotë Zoti, Zoti", ndërsa Zoti nuk ka folur. |
29. | Populli i vendit ushtron shtypjen, kryen grabitje, keqtrajton të varfërin dhe nevojtarin, shtyp të huajin duke marrë nëpër këmbë drejtësinë. |
30. | Unë kërkova midis tyre një burrë që të ndërtonte një mur dhe t'i dilte për zot vendit, që unë të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta. |
31. | Prandaj do të derdh mbi ta indinjatën time, do t'i konsumoj me zjarrin e zemërimit tim dhe do të bëj që të bjerë mbi kryet e tyre sjellja e tyre", thotë Zoti, Zoti. |
← Ezekiel (22/48) → |