← Ezekiel (19/48) → |
1. | Ti larto një vajtim mbi princat e Izraelit dhe thuaj: |
2. | "Ç'ishte nëna jote? Një luaneshë: rrinte shtrirë midis luanëve, rriste të vegjëlit e saj në mes të luanëve të vegjël. |
3. | Rriti një nga të vegjëlit e saj që u bë një luan i vogël; mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz. |
4. | Edhe kombet dëgjuan të flitet për të; ai u kap në gropën e tyre dhe e çuan të lidhur në vendin e Egjiptit. |
5. | Kur ajo pa që pritja po zgjatej dhe shpresa e saj ishte e humbur, mori një tjetër nga të vegjëlit e saj dhe e rriti sa u bë një luan i vogël. |
6. | Ai shkonte dhe vinte midis luanëve; u bë një luan i vogël, mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz. |
7. | Mësoi vendet e tyre të shkretuara dhe shkatërroi qytetet e tyre; vendi e gjithçka që kishte u shkretua nga zhurma e vrumbullimit të tij. |
8. | Por kundër tij erdhën kombet e të gjitha krahinave fqinje, vendosën kundër tij rrjetën e tyre dhe ai u kap në gropën e tyre. |
9. | E vunë të lidhur në një kafaz dhe e çuan te mbreti i Babilonisë; e çuan në një fortesë, me qëllim që zëri i tij të mos dëgjohej më mbi malet e Izraelit. |
10. | Nëna jote ishte si një hardhi e mbjellë pranë ujrave; ishte e harlisur dhe kishte shumë degë nga uji i bollshëm. |
11. | Kishte degë të forta të përshtatshme për skeptra mbretërorë, ishte ngjitur lart midis degëve gjetheshumë dhe shquhej në shtatin e saj për degët e shumta të saj. |
12. | Por u çrrënjos me tërbim dhe u hodh për tokë; era e lindjes ia thau frytin; degët e saj të forta u shkëputën dhe u thanë, zjarri i përpiu. |
13. | Tani është mbjellë në shkretëtirë në një tokë të thatë dhe të etur për ujë; |
14. | Një zjarr ka dalë nga një shermend i degëve të saj dhe ka përpirë frytin e saj; në të nuk ka më asnjë degë të fortë të përshtatshme për skeptra mbretërorë". Ky është një vajtim dhe do të jetë një vajtim. |
← Ezekiel (19/48) → |