← Ezekiel (17/48) → |
1. | Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: |
2. | "Bir njeriu, propozo një enigmë dhe i trego një shëmbëlltyrë shtëpisë së Izraelit, dhe thuaji: |
3. | Kështu thotë Zoti, Zoti: Një shqiponjë e madhe me fletë të mëdha dhe me pendë të gjata, e mbuluar me pupla të ngjyrave të ndryshme, shkoi në Liban dhe këputi majën e një kedri; |
4. | këputi degëzën e tij më të lartë, e çoi në një vend tregëtie dhe e vendosi në një qytet tregtarësh. |
5. | Pastaj mori pak farë të vendit dhe e mbolli në një arë pjellore; e vendosi këtë pranë ujrave të bollshme dhe e mbolli si një shelg. |
6. | Ajo u rrit dhe u bë një hardhi e madhe, por e ulët, degët e së cilës ishin kthyer nga shqiponja, kurse rrënjët ishin poshtë saj. Kështu u bë një hardhi që lëshoi degë dhe gjethe. |
7. | Por na ishte një shqiponjë tjetër e madhe, me ali të mëdha dhe me shumë pendë; dhe ja, kjo hardhi i ktheu rrënjët e saj drejt asaj dhe i shtriu degët e saj drejt asaj me qëllim që të vaditij nga brazda ku ishte mbjellë. |
8. | Ajo ishte mbjellë në një tokë të mirë, pranë ujrave të bollshme, me qëllim që të lëshonte degë, të jepte fryte dhe të bëhej një hardhi e mrekullueshme. |
9. | Thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: A do të mund të shkojë mbarë? A nuk do t'i shrrënjosë shqiponja rrënjët e saj dhe nuk do t'i presë frytet e saj që ta lërë të thahet? Kështu tërë gjethet që ka do të thahen. Nuk do të duhet shumë forcë as shumë njerëz për ta shkulur me rrënjë. |
10. | Ja, ajo është e mbjellë. A mund të shkojë mbarë? Mos vallë do të thahet krejt kur do të preket nga era e lindjes? Do të thahet në brazdën ku ishte rritur!". |
11. | Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë: |
12. | "I thuaj, pra, kësaj shtëpie rebele: Nuk e merrni vesh çfarë kuptimi kanë këto gjëra? U thuaj atyre: Ja mbreti i Babilonisë erdhi në Jeruzalem, zuri mbretin dhe krerët dhe i çoi me vete në Babiloni. |
13. | Pastaj mori një prej gjaku mbretëror, lidhi një besëlidhje me të dhe e vuri të betohet. Ai mori me vete edhe burrat e fuqishëm të vendit, |
14. | me qëllim që mbretëria të binte dhe jo të ngrihej, por, duke respektuar besëlidhjen e tij, të mund të ishte i qëndrueshëm. |
15. | Por ky u rebelua kundër tij duke dërguar ambasadorët e tij në Egjipt, me qëllim që t'i jepnin kuaj dhe shumë njerëz. A mund t'i shkojë mbarë, a mund të shpëtojë ai që ka bërë gjëra të tilla? A mund të shkelë besëlidhjen dhe megjithatë të shpëtojë? |
16. | Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "ai do të vdesë në vendin ku rri mbreti që e ka bërë mbret dhe betimin e të cilit ai ka përçmuar duke shkelur edhe besëlidhjen, afër tij, në mes të Babilonisë. |
17. | Faraoni nuk do t'i japë ndihmë me ushtrinë e tij të fuqishme dhe me aq njerëz në luftë, kur do të ngrenë ledhe dhe do të ndërtojnë kulla për të shfarosur shumë jetë njerëzore. |
18. | Ai ka përçmuar betimin duke shkelur besëlidhjen; megjithatë, ja, mbasi dha dorën, ka bërë tërë këto gjëra. Ai nuk do të shpëtojë". |
19. | Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, betimin tim që ai ka përçmuar dhe besëlidhjen time që ai ka shkelur, do të bëj që të bien mbi kokën e tij. |
20. | Do të shtrij mbi të rrjetën time dhe do të kapet në lakun tim. Do ta çoj në Babiloni dhe aty do të ekzekutoj mbi të vendimin për tradhëtinë e kryer kundër meje. |
21. | Tërë ikanakët bashkë me formacionet e tij do të bien nga shpata, ndërsa ata që do të shpëtojnë do të shpërndahen në drejtim të të gjitha erërave. Kështu do të pranoni që unë, Zoti, kam folur". |
22. | Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të marr një degëz nga maja e kedrit më të lartë dhe do ta mbjell; nga maja e degëve të tij të reja do të këpus një degëz të njomë dhe do ta mbjell mbi një mal të lartë dhe të ngritur. |
23. | Do ta mbjell mbi malin e lartë të Izraelit; do të lëshoj degë, do të bëj fryte dhe do të bëhet një kedër i mrekullueshëm. Nën të do të banojnë zogj të çdo lloji; ata do të banojnë nën hijen e degëve të tij. |
24. | Kështu tërë drurët e fushës do të mësojnë se unë, Zoti, kam ulur drurin e lartë dhe kam ngritur drurin e ulët, kam bërë të thahet druri i gjelbër dhe të mbijë druri i thatë. Unë Zoti, kam folur dhe do ta bëj". |
← Ezekiel (17/48) → |