← Ezekiel (11/48) → |
1. | Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në portën lindore të shtëpisë të Zotit që shikon nga lindja; dhe ja, në hyrje të portës kishte njëzet e pesë burra, ndër të cilët pashë Jaazaniahun, birin e Azurit, |
2. | Ai më tha: "Bir njeriu, këta janë ata njerëz që kurdisin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet. |
3. | Ata thonë: "Koha nuk është e afërt. Të ndërtojmë shtëpi! Ky qytet është kusia dhe ne jemi mishi". |
4. | Prandaj profetizo kundër tyre, profetizo, bir njeriu". |
5. | Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe më tha: "Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë i njoh gjërat që ju shkojnë në mend. |
6. | Ju i keni shumuar ata që keni goditur për vdekje në këtë qytet dhe keni mbushur me të vdekur rrugët e tij". |
7. | Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ata që keni vrarë dhe që i keni bërë tog në mes të saj janë mishi dhe ky qytet është kusia, por unë do t'ju nxjerr nga mesi i tij. |
8. | Ju keni frikë nga shpata dhe unë do të sjell mbi ju shpatën", thotë Zoti, Zoti. |
9. | "Unë do t'ju nxjerr nga mesi i tij, do t'ju jap në dorë të të huajve dhe do të zbatoj mbi ju vendimet e mia. |
10. | Ju do të bini nga shpata, do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti. |
11. | Ky qytet nuk do të jetë më për ju një kusi dhe ju nuk do të jeni për të mishi; unë do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit. |
12. | Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, sepse nuk keni ecur sipas statuteve të mia dhe as keni zbatuar ligjet e mia, por keni vepruar sipas ligjeve të kombeve që ju rrethojnë". |
13. | Ndodhi që, ndërsa unë profetizoja, Pelatiahu, bir i Benajahut, vdiq. Atëherë rashë me fytyrë për tokë dhe bërtita me të madhe, duke thënë: "Ah, Zot, Zot, dëshiron ta shkatërrosh krejt mbetjen e Izraelit?". |
14. | Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: |
15. | "Bir njeriu, vëllezërit e tu, vetë të afërmit e tu, ata që janë çliruar bashkë me ty dhe tërë shtëpia e Izraelit janë ata të cilëve banorët e Jeuzalemit u kanë thënë: "Largohuni, pra, nga Zoti; ky vend na është dhënë si trashëgimi". |
16. | Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Megjithatë unë i kam larguar midis kombeve dhe i kam shpërndarë në vende të huaja, unë do të jem për ta për pak kohë një shenjtërore në vendet ku kanë shkuar. |
17. | Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Do t'ju mbledh ndër popuj, do t'ju grumbulloj nga vendet ku jeni shpërndarë dhe do t'ju jap tokën e Izraelit. |
18. | Ata do të kthehen dhe do të heqin tërë gjërat e tij të urrejtshme dhe tërë gjërat e neveritshme të tij. |
19. | Dhe unë do t'ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t'u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t'u jap një zemër prej mishi, |
20. | me qëllim që të ecin sipas statuteve të mia dhe të respektojnë ligjet e mia dhe t'i vënë në praktikë; atëherë ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre. |
21. | Po për ata të cilët kanë zemër që vë në zbatim gjërat e tyre të urrejtshme dhe të neveritshme, do të bëj që mbi kokën e tyre të bjerë sjellja e tyre", thotë Zoti, Zoti. |
22. | Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe rrotat lëvizën pranë tyre dhe lavdia e Perëndisë të Izraelit rrinte lart mbi ta. |
23. | Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit dhe u ndal mbi malin, që ishte në lindje të qytetit. |
24. | Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në Kalde midis atyre që ishin në robëri, në një vegim për Frymën e Perëndisë dhe vegimi që kisha parë u zhduk para meje duke u ngritur lart; |
25. | dhe unë u tregova atyre që ishin në robëri të gjitha gjërat që Zoti më kishte bërë të shoh. |
← Ezekiel (11/48) → |