| ← Exodus (40/40) |
| 1. | Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë: |
| 2. | "Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes. |
| 3. | Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel. |
| 4. | Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij. |
| 5. | Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit. |
| 6. | Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes. |
| 7. | Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të. |
| 8. | Do t'i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit. |
| 9. | Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë. |
| 10. | Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë. |
| 11. | Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh. |
| 12. | Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë. |
| 13. | Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift. |
| 14. | Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t'i veshësh me tunika, |
| 15. | do t'i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t'u japë priftëri përjetë, brez pas brezi". |
| 16. | Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar. |
| 17. | Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli. |
| 18. | Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij. |
| 19. | Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
| 20. | Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë; |
| 21. | e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
| 22. | Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit. |
| 23. | Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
| 24. | Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit; |
| 25. | dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
| 26. | Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit, |
| 27. | dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
| 28. | Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit. |
| 29. | Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
| 30. | Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t'u larë. |
| 31. | Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët; |
| 32. | kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
| 33. | Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij. |
| 34. | Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin. |
| 35. | Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin. |
| 36. | Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin; |
| 37. | por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej. |
| 38. | Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.? |
| ← Exodus (40/40) |