← Exodus (32/40) → |
1. | Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: "Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur". |
2. | Aaroni iu përgjigj atyre: "Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m'i sillni mua". |
3. | Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit, |
4. | i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!". |
5. | Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: "Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!". |
6. | Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan olokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer. |
7. | Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar; |
8. | u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"". |
9. | Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë. |
10. | Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t'i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh". |
11. | Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë? |
12. | Pse duhet që Egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t'ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t'i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t'i bërë keq popullit tënd. |
13. | Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t'u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"". |
14. | Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij. |
15. | Atëherë Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë në duar, pllaka të shkruara nga të dy anët, si përpara ashtu edhe prapa. |
16. | Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllakat. |
17. | Por Jozueu, duke dëgjuar britmën e popullit që bërtiste, i tha Moisiut: "Ka një zhurmë lufte në kamp". |
18. | Por ai u përgjigj: "Kjo nuk është as një britmë fitoreje, as një britmë humbjeje; britma që unë dëgjoj është e njerëzve që këndojnë". |
19. | Si iu afrua kampit, pa viçin dhe vallet; atëherë Moisiu u ndez nga zemërimi dhe ai i hodhi pllakat nga duart e tij dhe i theu në këmbët e malit. |
20. | Pastaj mori viçin që ata kishin bërë, e dogji në zjarr dhe e bëri pluhur; pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe ia dha për të pirë bijve të Izraelit. |
21. | Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Çfarë të ka bërë ky popull, të cilin e ke ngarkuar me një mëkat kaq të madh?". |
22. | Aaroni u përgjigj: "Zemërimi i zotërisë sime të mos ndizet, ti vetë e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirur ndaj së keqes. |
23. | Ata më kanë thënë: "Na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë se çfarë i ka ndodhur". |
24. | Atëherë unë u thashë atyre: "Kush ka ar të mos e mbajë me vete". Kështu ata ma dhanë mua dhe unë e hodha në zjarr, dhe na doli ky viç". |
25. | Kur Moisiu pa që populli ishte pa fre (dhe Aaroni e kishte lënë të shfrenohej duke e ekspozuar në turpin e armiqve të tij), |
26. | u ndal në hyrje të kampit dhe tha: "Kushdo që është me Zotin, le të vijë tek unë!". Dhe të gjithë bijtë e Levit u mblodhën pranë tij. |
27. | Dhe ai u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Secili prej jush të vërë shpatën në krahun e tij; kaloni dhe rikaloni nga një hyrje e kampit në tjetrën, secili të vrasë vëllanë e tij, mikun e tij, fqinjin e tij!"". |
28. | Bijtë e Levit bënë ashtu siç u kishte thënë Moisiu, dhe atë ditë ranë rreth tre mijë njerëz. |
29. | Pastaj Moisiu tha: "Shenjtërohuni sot Zotit, që ai t'ju japë një bekim, sepse secili prej jush ka qënë kundër birit të tij dhe vëllait të tij". |
30. | Të nesërmen Moisiu i tha popullit: "Ju keni bërë një mëkat të madh; por tani unë do të ngjitem tek Zoti; ndofta do të mund të bëj shlyerjen për mëkatin tuaj". |
31. | Moisiu u kthye, pra, te Zoti dhe tha: "Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari. |
32. | Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar!". |
33. | Por Zoti iu përgjegj Moisiut: "Atë që ka bërë mëkat kundër meje, atë do ta fshij nga libri im! |
34. | Tani shko, çoje popullin ku të kam thënë. Ja, Engjëlli im do të shkoj para teje, por ditën që do të vij për t'i dënuar, do t'i dënoj për mëkatin e tyre". |
35. | Kështu Zoti goditi popullin, sepse kishte bërë viçin që Aaroni kishte modeluar. |
← Exodus (32/40) → |