← Exodus (31/40) → |
1. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
2. | "Shiko, unë e thirra me emër Betsaleelin, birin e Urit, birin e Hurit, nga fisi i Judës; |
3. | dhe e mbusha me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarësi, me njohuri dhe çdo shkathtësi, |
4. | që të jetë i aftë të përgatisë vizatime artistike, të punojë arin, argjendin dhe bronzin, |
5. | për të gdhendur gurë për t'u ngallmuar, për të punuar drurin dhe për të kryer çdo lloj punimesh. |
6. | Dhe ja, i dhashë për shok Oholiabin, të birin e Ahisamakut, nga fisi i Danve; dhe shtiva dituri në mendjen e të gjithë njerëzve të shkathët, me qëllim që të mund të bëjnë të gjitha ato që të kam urdhëruar: |
7. | çadrën e mbledhjes, arkën e dëshmisë dhe pajtuesin që ndodhet mbi të, dhe të gjitha orenditë e çadrës, |
8. | tryezën dhe orenditë e saj, shandanin prej ari safi dhe të gjitha pjesët e tij, altarin e temjanit, |
9. | altarin e olokausteve dhe tërë veglat e tij, enën e madhe dhe bazën e saj, |
10. | dhe rrobat e endura hollë me mjeshtëri, rrobat e shenjta për priftin Aaron dhe rrobat e bijve të tij për të shërbyer si priftërinj, |
11. | vajin për vajosje dhe temjanin e parfumuar për vendin e shenjtë. Ata do të veprojnë simbas të gjithë urdhrave që të kam dhënë ty". |
12. | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
13. | "Fol edhe me bijtë e Izraelit, duke u thënë: Tregoni kujdes të madh për të respektuar të shtunat e mia, sepse është një shenjë midis meje dhe jush për të gjithë brezat tuaj, në mënyrë që të njihni se unë jam Zoti që ju shenjtëron. |
14. | Do të respektoni, pra, të shtunën, sepse është për ju një ditë e shenjtë; kush e përdhos atë, do të dënohet me vdekje; kushdo që bën atë ditë ndonjë punë, do të shfaroset nga gjiri i popullit të tij. |
15. | Do të punohet gjashtë ditë; por dita e shtatë është e shtuna e pushimit, e shenjtë për Zotin; kushdo që do të bëjë ndonjë punë ditën e shtunë do të dënohet me vdekje. |
16. | Andaj bijtë e Izraelit do ta respektojnë të shtunën, duke e kremtuar atë brez pas brezi, si një besëlidhje të përjetshme. |
17. | Ajo është një shenjë e përjetshme midis meje dhe bijve të Izraelit, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin dhe tokën, dhe ditën e shtatë pushoi dhe u shlodh". |
18. | Kur Zoti mbaroi së foluri me Moisiun në malin Sinai, i dha dy pllaka të dëshmisë, pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë. |
← Exodus (31/40) → |