← Exodus (29/40) → |
1. | "Kjo është ajo që do të bësh për t'i shuguruar në mënyrë që të më shërbejnë si priftërinj. Merr një dem të vogël dhe dy desh pa të meta, |
2. | disa bukë pa maja, ëmbëlsira pa maja të zëna me vaj dhe revani pa maja të lyer me vaj; (do t'i bësh me majë mielli të grurit). |
3. | Do t'i vësh në një shportë dhe do t'i çosh bashkë me demin e vogël dhe dy deshtë. |
4. | Do ta afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrjen e çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë. |
5. | Pastaj do të marrësh rrobat dhe do ta riveshësh Aaronin me tunikën, me mantelin e efodit, me efodin dhe me pektoralin, dhe do t'i ngjeshësh brezin e punuar artistikisht të efodit. |
6. | Do t'i vësh mbi krye çallmën dhe mbi çallmën do të vësh diademën e shenjtë. |
7. | Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes, do ta derdhësh mbi kryet e tij dhe do ta vajosësh. |
8. | Pastaj do t'i afrosh bijtë e tij dhe do t'u riveshësh tunikat. |
9. | Do t'u ngjeshësh Aaronit dhe bijve të tij brezat dhe do të vësh mbi ta mbulesa kokash; priftëria do t'iu përkasë atyre për gjithë jetën. Kështu do të shugurosh Aaronin dhe bijtë e tij. |
10. | Pastaj do të afrosh demin e vogël para çadrës së mbledhjes; dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël. |
11. | Dhe do ta therësh demin e vogël para Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes. |
12. | Do të marrësh pastaj gjakun e demit të vogël dhe do ta vësh me gishtin tënd mbi brirët e altarit, dhe gjithë mbetjen e gjakut do ta derdhësh në këmbët e altarit. |
13. | Do të marrësh gjithashtu gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën e ngjitur me mëlçinë dhe dy veshkat me dhjamin që kanë sipër, dhe do t'i tymosësh mbi altarin. |
14. | Por mishin e demit të vogël, lëkurën dhe fëlliqësirat e tij do t'i djegësh me zjarr jashtë kampit: ky është një flijim për mëkatin. |
15. | Pastaj do të marrësh një nga deshtë dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit. |
16. | Pastaj do ta therësh dashin, do të marrësh gjakun e tij dhe do ta spërkatësh përrreth altarit. |
17. | Pas kësaj do ta ndash në copa dashin, do të lash zorrët dhe këmbët e tij, dhe do t'i vësh bashkë me copat e tij dhe me kokën e tij. |
18. | Pastaj do ta tymosësh tërë dashin mbi altar: ky është një olokaust për Zotin; është një erë e këndshme, një flijim i bërë me anë të zjarrit për Zotin. |
19. | Pastaj do të marrësh dashin tjetër, dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit. |
20. | Do ta therësh dashin, do të marrësh prej gjakut të tij dhe do ta vësh mbi bulën e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi bulën e veshit të djathtë të bijve të tij, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e trashë të këmbës së tyre të djathtë, dhe do ta spërkatësh gjakun rreth e qark altarit. |
21. | Do të marrësh pastaj nga gjaku që është mbi altar dhe nga vaji i vajosjes dhe do të spërkatësh Aaronin dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre. Kështu do të shenjtërohet ai dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre bashkë me të. |
22. | Do të marrësh edhe dhjamin e dashit, dhjamin e bishtit, dhjamin që mbulon zorrët, bulën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që është mbi to dhe kofshën e djathtë, (sepse është një dash shenjtërimi); |
23. | do të marrësh edhe një bukë, një ëmbëlsirë me vaj dhe një revani nga shporta e bukës së ndorme, që është para Zotit, |
24. | dhe të gjitha këto gjëra do t'i vësh në duart e Aaronit dhe në duart e bijve të tij, dhe do t'i tundësh si një ofertë e bërë përpara Zotit. |
25. | Pastaj do t'i marrësh nga duart e tyre dhe do t'i tymosësh mbi altarin, mbi olokaustin, si një erë e këndshme përpara Zotit; është një flijim i bërë me anë të zjarrit Zotit. |
26. | Pas kësaj do të marrësh gjoksin e dashit të përdorur për shugurimin e Aaronit dhe do ta tundësh si një ofertë e lëvizur përpara Zotit; dhe kjo do të jetë pjesa e jote. |
27. | Dhe nga dashi i përdorur për shenjtërim do të ruash gjoksin e ofertës së lëvizur dhe kofshën e ofertës së ngritur, që u takojnë Aaronit dhe bijve të tij. |
28. | Ai do të jetë nga ana e bijve të Izraelit për Aaronin dhe bijtë e tij një rregull i përhershëm, sepse është një ofertë lartësimi. Do të jetë një ofertë lartësimi nga ana e bijve të Izraelit që është marrë nga flitë e tyre të falënderimit, oferta e tyre për lartësim te Zoti. |
29. | Dhe rrobat e shenjta të Aaronit do t'u kalojnë bijve të tij mbas tij, me qëllim që të vajosen dhe të shenjtërohen tek ata. |
30. | Ai bir që bëhet prift në vend të tij do t'i veshë ato për shtatë ditë, kur do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbesën në vendin e shenjtë. |
31. | Pastaj do të marrësh dashin e shenjtërimit dhe do ta gatuash mishin e tij në një vend të shenjtë; |
32. | dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë, në hyrje të çadrës së mbledhjes, mishin e dashit dhe bukën që është në shportë. |
33. | Do të hanë gjërat që kanë shërbyer për të bërë shlyerjen për t'u shuguruar dhe shenjtëruar; por asnjë i huaj nuk do të hajë prej tyre, sepse janë gjëra të shenjta. |
34. | Dhe në qoftë se tepron mish i shenjtërimit ose bukë deri në mëngjes, do të djegësh atë që mbetet në zjarr; nuk do ta hahet, sepse është e shenjtë. |
35. | Do të bësh, pra, për Aaronin dhe për bijtë e tij të gjitha ato që të kam urdhëruar: do t'i shenjtërosh brenda shtatë ditëve. |
36. | Dhe çdo ditë do të ofrosh një dem të vogël, si flijim për mëkatin, për të larë fajin që ke bërë dhe do ta vajosësh për ta shenjtëruar. |
37. | Për shtatë ditë do të bësh shlyerjen e fajit për altarin dhe do ta shenjtërosh; altari do të jetë një vend shumë i shenjtë: çdo gjë që do të prekë altarin do të jetë e shenjtë. |
38. | Kjo është ajo që do të ofrosh mbi altar: dy qengja motakë çdo ditë, për gjithnjë. |
39. | Njërin prej qengjave do ta ofrosh në mëngjes dhe tjetrin në të ngrysur. |
40. | Me qengjin e parë do të ofrosh një të dhjetën e efës të majës së miellit të brumosur me një çerek hine vaji thjesht ulliri, dhe një libacion me një çerek hine verë. |
41. | Qengjin e dytë do ta ofrosh në të ngrysur; do ta shoqërosh me të njëjtin blatim dhe me të njëjtin libacion të mëngjesit; është një flijim parfumi të këndshëm i ofruar nëpërmjet zjarrit për Zotin. |
42. | Do të jetë një olokaust i përjetshëm për gjithë brezat e ardhshëm, ti ofruar në hyrje të çadrës së mbledhjes, përpara Zotit, kur unë do t'ju takoj për të folur me ty. |
43. | Dhe atje do të takohem me bijtë e Izraelit; dhe çadra do të shenjtërohet nga lavdia ime. |
44. | Kështu unë do të shenjtëroj çadrën e mbledhjes dhe altarin; do të shenjtëroj gjithashtu Aaronin dhe bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. |
45. | Do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre. |
46. | Dhe ata do të mësojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar midis tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre". |
← Exodus (29/40) → |