← Exodus (27/40) → |
1. | "Do të bësh edhe një altar prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë pesë kubitë; altari do të jetë katror dhe do të ketë tre kubitë lartësi. |
2. | Në katër qoshet e tij do të bësh brinj, që do të formojnë një tërësi me të; dhe do ta veshësh atë me bronz. |
3. | Do të bësh edhe enët e tij për të mbledhur hirin, lopatëzat e tij, legenët e tij, pirunjtë e tij dhe mangallët e tij; të gjitha veglat e tij do t'i bësh prej bronzi. |
4. | Do t'i bësh gjithashtu një grilë prej bronzi në formë rrjete dhe mbi rrjetë, në katër qoshet e tij, do të bësh katër unaza prej bronzi; |
5. | dhe do ta vësh nën kornizën e altarit, në pjesën e poshtme, në mënyrë që rrjeta të ndodhet në gjysmën e lartësisë së altarit. |
6. | Do të bësh edhe disa shufra për altarin, shufra me drurin e akacies, dhe do t'i veshësh me bronz. |
7. | Shufrat do të kalojnë nëpër unazat; dhe shufrat do të jenë në të dy anët e altarit, kur ky do të duhet të bartet. |
8. | Do ta bësh me dërrasa dhe bosh nga brenda; duhet ta bësh ashtu siç t'u tregua në mal. |
9. | Do të bësh edhe oborrin e tabernakullit; nga ana e jugut, oborri do të ketë perde prej liri të hollë të përdredhur, me një gjatësi prej njëqind kubitësh nga një anë, |
10. | dhe njëzet shtylla me njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllës dhe shtizat e tyre do të jenë prej argjendi. |
11. | Kështu edhe në gjatësinë nga ana e veriut, do të ketë perde me një gjatësi prej njëqind kubitësh, me njëzet shtylla dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave do të jenë prej argjendi. |
12. | Dhe për gjerësinë e oborrit nga ana e perëndimit, do të ketë pesëdhjetë kubitë perdesh me dhjetë shtyllat dhe dhjetë bazat e tyre. |
13. | Nga ana lindore gjerësia e oborrit do të jetë gjithashtu pesëdhjetë kubitë. |
14. | Nga një anë e portës së hyrjes do të ketë pesëmbëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre; |
15. | dhe nga ana tjetër do të ketë gjithashtu pesëmbëdhjetë kubitë perde me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre. |
16. | Për portën e hyrjes në oborr do të ketë një perde prej njëzet kubitësh, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur, punë e një qëndistari, me katër shtyllat dhe katër bazat e tyre. |
17. | Tërë shtyllat rreth oborrit do të bashkohen me shtiza argjendi; grremçat e tyre do të jenë prej argjendi dhe bazat e tyre prej bronzi. |
18. | Gjatësia e oborrit do të jetë njëqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë kubitë dhe lartësia pesë kubitë, me perde prej liri të hollë të përdredhur dhe me bazat prej bronzi. |
19. | Të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tabernakullit, tërë kunjat e tij dhe tërë kunjat e oborrit do të jenë prej bronzi. |
20. | Do të urdhërosh bijtë e Izraelit që të sjellin vaj ulliri safi prej ullinjsh të shtypur, për dritën e shandanit për t'i mbajtur vazhdimisht të ndezura llambat. |
21. | Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që ndodhet përpara dëshmisë, Aaroni dhe bijtë e tij do t'i mbajnë llambat të ndezura, në mënyrë që të digjen nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Kjo do të jetë një rregull e përhershme midis bijve të Izraelit për të gjithë brezat e ardhshëm". |
← Exodus (27/40) → |