← Exodus (15/40) → |
1. | Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t'i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës. |
2. | Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qënë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj. |
3. | Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti. |
4. | Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq. |
5. | Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur. |
6. | E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë. |
7. | Me madhështinë e madhërisë sate, ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje; ti nxjer jashtë zemërimin tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte. |
8. | Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit. |
9. | Armiku thoshte: "Do t'i ndjek, do t'i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t'i shfarosë". |
10. | Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme. |
11. | Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës? |
12. | Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti. |
13. | Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar; me forcën tënde e ke çuar drejt banesës sate të shenjtë. |
14. | Popujt e kanë dëgjuar këtë dhe dridhen. Ankthi ka mbërthyer banorët e Filistinës. |
15. | Që tani krerët e Edomit e kanë humbur, të fuqishmit e Moabit i ka zënë frika, tërë banorët e Kanaanit po shkrihen. |
16. | Frika dhe tmerri do të bierë mbi ta. Falë forcës së krahut tënd do të bëhen të palëvizshëm si guri, deri sa populli yt, o Zot, të kalojë, deri sa të kalojë populli që ti ke blerë. |
17. | Ti do t'i futësh dhe do t'i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur. |
18. | Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë". |
19. | Pasi kuajt e Faraonit me qerret e tij dhe kalorësit e tij kishin hyrë në det, dhe Zoti kishte kthyer mbi ta ujërat e detit, por bijtë e Izraelit kishin ecur në mes të detit, në të thatë. |
20. | Atëherë profetesha Miriam, motra e Aaronit, mori në dorë dajren, dhe të gjitha gratë e ndoqën nga pas me dajre dhe me valle. |
21. | Dhe Miriami u këndonte atyre: "Këndojini Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës". |
22. | Pastaj Moisiu i nisi Izraelitët nga Deti i Kuq dhe këta u drejtuan nga shkretëtira e Shurit; ecën tri ditë në shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë. |
23. | Kur arritën në Mara nuk mundën të pinë ujërat e Marës sepse ishin të hidhura; prandaj ky vend u quajt Mara. |
24. | Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: "Ç'do të pimë?". |
25. | Kështu ai i bërtiti Zotit; dhe Zoti i tregoi një dru; ai e hodhi atë në ujë, dhe ujërat u bënë të ëmbla. Atje Zoti i dha popullit një ligj dhe një dekret, dhe e vuri kështu popullin në provë, |
26. | dhe tha: "Në qoftë se ti dëgjon me vëmëndje zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e tij dhe dëgjon urdhërimet e tij dhe respekton tërë ligjet e tij, unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë Egjiptasve, sepse unë jam Zoti që të shëron". |
27. | Kështu arritën në Elim, ku kishte dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma; dhe e ngritën kampin e tyre pranë ujërave. |
← Exodus (15/40) → |