← Exodus (10/40) → |
1. | Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni; sepse e kam fortësuar zemrën e tij dhe zemrën e shërbëtorëve të tij, me qëllim që unë të mund të tregoj këto shenjat e mia në mes tyre, |
2. | dhe me qëllim që ti të mundësh t'u tregosh bijve të tu dhe bijve të bijve të tu gjërat e mëdha që kam bërë, duke vënë në lojë Egjiptasit, dhe shenjat e mia që kam bërë midis tyre, që të dini se unë jam Zoti". |
3. | Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: "Deri kur do të refuzosh të ulësh kokën para meje? Lëre popullin tim të shkojë që të mund të më shërbejë. |
4. | Sepse po refuzove ta lësh popullin tim të shkojë, që nesër do të sjell karkaleca në territorin tënd. |
5. | Dhe ato do të mbulojnë faqen e dheut, kështu që asnjeri nuk do të mund ta shohë tokën; dhe ato do të përpijnë edhe atë që ka mbetur, atë që ju ka lënë breshri, dhe do të përpinë çdo pemë që rritet për ju në fusha. |
6. | Dhe do t'i mbushin shtëpitë tuaja, shtëpitë e tërë shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e tërë Egjiptasve, diçka që as etërit e tu as etërit e etërve të tu nuk e kanë parë kurrë, nga dita që qenë mbi dhe deri në këtë ditë"". Me t'i thënë këto fjalë ktheu kurrizin dhe doli nga prania e Faraonit. |
7. | Pastaj shërbëtorët e Faraonit i thanë: "Deri kur ky njeri do të jetë pengesë për ne? Lëri këta njerëz të ikin, që t'i shërbejnë Zotit Perëndisë të tyre! Nuk e ke kuptuar akoma që Egjipti është shkatërruar?". |
8. | Kështu Moisiu dhe Aaroni u rikthyen te Faraoni; dhe ky u tha atyre: "Shkoni, shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj. Por kush janë ata që do të shkojnë?". Moisiu tha: |
9. | "Ne do të shkojmë me fëmijët tanë dhe me pleqtë tanë, me bijtë tanë dhe bijat tona; do të shkojmë me kopetë tona të bagëtive të imta dhe të trasha, sepse duhet të kremtojmë një festë kushtuar Zotit". |
10. | Faraoni u tha atyre: "Zoti qoftë me ju, kur unë do t'ju lë të ikni bashkë me fëmijët tuaj! Por kini kujdes se mos keni qëllime të këqia! |
11. | Jo, jo! Shkoni ju, burra, t'i shërbeni Zotit; sepse kjo është ajo që kërkoni". Dhe i dëbuan nga prania e Faraonit. |
12. | Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi vendin e Egjiptit për karkalecat, me qëllim që ato të ngjiten dhe të mbulojnë vendin e Egjiptit dhe të përpijnë tërë bimësinë e vendit, tërë ato që ka lënë breshri". |
13. | Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat. |
14. | Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër. |
15. | Ato mbuluan faqen e tërë dheut, aq sa e nxinë dheun; përpinë tërë bimësinë e vendit dhe tërë pemët e drurëve që breshri kishte lënë; dhe nuk mbeti asgjë e blertë mbi drurët dhe shkurrëzat e fushës, në tërë vendin e Egjiptit. |
16. | Atëherë Faraoni thirri me nxitim Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Unë kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. |
17. | Por tani të lutem, falmani mëkatin edhe një herë; dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë nga unë këtë mynxyrë vdekjeprurëse". |
18. | Dhe Moisiu doli nga Faraoni, dhe iu lut Zotit. |
19. | Pastaj Zoti ngriti një erë të kundërt, një erë nga perëndimi shumë të fortë, që i largoi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq. Nuk mbeti asnjë karkalec në tërë territorin e Egjiptit. |
20. | Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk i la bijtë e Izraelit të ikin. |
21. | Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, me qëllim që të jetë errësirë në vendin e Egjiptit, errësirë që të mund të preket me dorë". |
22. | Dhe Moisiu e shtriu dorën e tij drejt qiellit, dhe u bë errësirë e madhe në tërë vendin e Egjiptit për tri ditë. |
23. | Njëri nuk shikonte tjetrin dhe asnjeri nuk lëvizi nga vendi ku ndodhej për tri ditë; por për të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre. |
24. | Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe i tha: "Shkoni, shërbejini Zotit, le të mbeten vetëm kopetë tuaja me bagëti të imët dhe të trashë; edhe fëmijët tuaj mund të vinë me ju". |
25. | Moisiu tha: "Ti duhet të na lejosh gjithashtu të marrim dhe disa fli dhe olokauste, që t'ia ofrojmë Zotit, Perëndisë tonë. |
26. | Edhe bagëtia jonë do të vijë me ne; nuk do të lëmë këtu as edhe një thua të saj, sepse do të marrim disa krerë për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tonë; dhe nuk e dimë me se do t'i shërbejmë Zotit, deri sa të arrijmë atje poshtë". |
27. | Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk deshi t'i linte të shkonin. |
28. | Atëherë Faraoni i tha Moisiut: "Qërohu nga unë! Ruhu se më del përpara, sepse ditën që do të më dalësh përpara do të vdesësh!". |
29. | Moisiu iu përgjigj: "Mirë e the; unë nuk do të të dal më përpara". |
← Exodus (10/40) → |