← Esther (4/10) → |
1. | Kur Mardokeu mësoi të gjitha ato që kishin ndodhur, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe me hi dhe doli nëpër qytet, duke lëshuar britma të forta dhe plot hidhërim; |
2. | dhe arriti deri te porta e mbretit, sepse nuk lejohej që asnjeri i mbuluar me thes të hynte te porta e mbretit. |
3. | Në çdo krahinë, ku arritën urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për Judejtë, me agjerime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi. |
4. | Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t'ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t'i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi. |
5. | Atëherë Esteri thirri Hathakun, njerin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t'i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç'arësye. |
6. | Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit. |
7. | Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmëndi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e Judejve; |
8. | i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suzë për shfarosjen e tyre, me qëllim që t'ia tregonte Esterit, t'ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij. |
9. | Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut. |
10. | Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t'i thoshte Mardokeut: |
11. | "Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti". |
12. | Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit, |
13. | dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: "Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë Judejtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit. |
14. | Sepse po të jetë se ti hesht në këtë moment, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për Judejtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?". |
15. | Atëherë Esteri urdhëroi t'i përgjigjeshin Mardokeut kështu: |
16. | "Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes". |
17. | Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar. |
← Esther (4/10) → |