← Ecclesiastes (8/12) → |
1. | Kush është si i urti? Kush e njeh interpretimin e sendeve? Dituria e njeriut bën që të shkëlqejë fytyra e tij dhe e ndryshon ashpërsinë e fytyrës së tij. |
2. | Unë të jap një këshillë: respekto urdhërin e mbretit për shkak të betimit të bërë Perëndisë. |
3. | Mos u nxito të largohesh nga prania e tij dhe mos ngul këmbë në një gjë të keqe, sepse ai bën të gjitha gjërat që i pëlqen. |
4. | Në fakt fjala e mbretit është e fuqishme; dhe kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?". |
5. | Kush respekton urdhërin e tij nuk do të pësojë asnjë të keqe; zemra e njeriut të urtë di në fakt të dallojë kohën dhe gjykimin, |
6. | sepse për çdo gjë ka një kohë dhe një gjykim, dhe ligësia e njeriut rëndon shumë mbi të. |
7. | Sepse ai nuk e di çfarë ka për të ndodhur; kush në fakt do t'i tregojë si do të venë gjërat? |
8. | Nuk ka njeri që të ketë pushtet mbi frymën për ta përmbajtur, apo të ketë pushtet mbi ditën e vdekjes. Nuk ka leje në betejë, dhe padrejtësia nuk mund të shpëtojë atë që e kryen. |
9. | E pashë tërë këtë gjë dhe vura mend për të gjitha gjërat që bëhen nën diell; ka një kohë kur një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar. |
10. | Pastaj pashë të pabesët që u varrosën, të cilët kishin hyrë dhe kishin dalë nga vendi i shenjtë; edhe ata ishin harruar në qytetin ku kishin bërë këto gjëra. Edhe kjo është kotësi. |
11. | Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen. |
12. | Edhe në qoftë se mëkatari bën njëqind herë të keqen dhe i zgjat ditët e tij, megjithatë, unë e di që do të kenë të mirën ata që kanë frikë nga Perëndia, që kanë frikë para tij. |
13. | Por nuk ka të mirë për të pabesin, dhe nuk ka për t'i zgjatur ditët e tij si hija sepse nuk ka frikë përpara Perëndisë. |
14. | Éshtë një kotësi që ndodh mbi tokë; ka njerëz të drejtë që trajtohen ashtu sikur i përket veprës të të pabesëve, dhe ka të pabesë që trajtohen sikur i përket veprës të të drejtëve. Kam thënë që edhe kjo është kotësi. |
15. | Kështu lëvdova harenë, sepse nuk ka gjë më të mirë për njeriun nën diell se të hajë, të pijë dhe të jetë i gëzuar, sepse kjo i mbetet në mundin e tij gjatë ditëve të jetës që Perëndia i ka dhënë nën diell. |
16. | Kur unë e vura zemrën time të njohë diturinë dhe të mendojë përpjekjet që bëhen mbi tokë (edhe kur dikush nuk i lë të pushojnë sytë e tij as ditën as natën), |
17. | atëherë pashë gjithë veprën e Perëndisë, që njeriu nuk mund të arrijë të zbulojë të gjitha ato që bëhen nën diell sepse, edhe sikur njeriu të mundohet duke kërkuar, nuk arrin t'i zbulojë; edhe sikur i urti të thotë që e di, nuk është në gjendje t'i zbulojë. |
← Ecclesiastes (8/12) → |