← Ecclesiastes (3/12) → |
1. | Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; |
2. | një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë, |
3. | një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar, |
4. | një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle, |
5. | një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar, |
6. | një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje, |
7. | një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur, |
8. | një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen. |
9. | Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet? |
10. | Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen. |
11. | Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund. |
12. | Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë; |
13. | dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqënie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë. |
14. | E kuptova që tërë ato që bën Perëndia janë përjetë; nuk mund t'u shtosh dhe t'u heqësh asgjë; dhe Perëndia vepron kështu me qëllim që njerëzit të kenë frikë prej tij. |
15. | Ajo që është, ka qenë më parë; dhe ajo që do të vijë ka qenë më parë, dhe Perëndia heton atë që ka kaluar. |
16. | Kam parë gjithashtu nën diell që në vend të arsyes kishte paudhësi, që në vend të drejtësisë kishte paudhësi. |
17. | Kështu thashë në zemrën time: "Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin, sepse ka një kohë të caktuar për çdo gjë dhe për çdo vepër". |
18. | Thashë në zemrën time: "Përsa u përket kushteve në të cilat ndodhen bijtë e njerëzve, Perëndia i vë në provë, që ata vetë të kuptojnë që janë si kafshë". |
19. | Në fakt të gjitha ato që u ndodhin bijve të njerëzve u ndodhin kafshëve; të dy palëve u ndodh e njëjta gjë. Ashtu si vdes njeri, kështu vdes tjetri. Po, të gjithë kanë po atë frymë; dhe njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, sepse gjithçka është kotësi. |
20. | Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur. |
21. | Kush e di në se fryma e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe në se fryma e kafshës zbret poshtë në tokë? |
22. | Kështu e kuptova që nuk ka gjë më të mirë për njeriun se sa të gëzohet në punën e tij, sepse kjo është pjesa e tij. Kush do ta çojë në fakt të shohë atë që ka për të ndodhur pas tij? |
← Ecclesiastes (3/12) → |