← Ecclesiastes (2/12) → |
1. | Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi. |
2. | Për të qeshurit kam thënë: "Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?". |
3. | Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t'i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre. |
4. | Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta, |
5. | bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji; |
6. | ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët. |
7. | Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem. |
8. | Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji. |
9. | Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua. |
10. | Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë. |
11. | Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t'i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell. |
12. | Atëherë u ktheva të rrah me mend diturinë, marrëzinë dhe budallallëkun. "Çfarë do të bëjë njeriu që do të zërë vendin e mbretit, në mos atë që është bërë?". |
13. | Pastaj kuptova që dituria ka një epërsi mbi budallallëkun, ashtu si drita ka një epërsi mbi errësirën. |
14. | I urti i ka sytë në kokë, kurse budallai ecën në errësirë; por kuptova gjithashtu që të dyve u është rezervuar i njëjti fat. |
15. | Kështu thashë në zemrën time: "Po ai fat që i takon budallait më takon edhe mua". Ç'përfitim ke se ke qenë më i urtë?". Prandaj thashë në zemrën time: "Edhe kjo është kotësi". |
16. | Nuk mbetet në fakt asnjë kujtim jetëgjatë si i njeriut të urtë ashtu edhe i njeriut budalla, sepse në ditët e ardhme gjithçka do të harrohet. Dhe ashtu si vdes budallai, në të njëjtën mënyrë vdes i urti. |
17. | Prandaj fillova të urrej jetën, sepse të gjitha ato që bëhen nën diell më janë bërë të neveritshme, sepse të gjitha janë kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën. |
18. | Kështu kam urryer çdo mundim që kam kryer nën diell, sepse duhet t'i lë të gjitha atij që do të vijë pas meje. |
19. | Dhe kush e di në se do të jetë i urtë ose budalla? Sidoqoftë ai do të jetë zot i gjithë punës që kam kryer me mund dhe për të cilën kam përdorur diturinë nën diell. Edhe kjo është kotësi. |
20. | Kështu arrita të dëshpërohem në zemrën time për gjithë mundin që kam bërë nën diell. |
21. | Sepse këtu ka një njeri që ka punuar me dituri, me zgjuarësi dhe me sukses, por që duhet t'ia lërë trashëgiminë e tij një tjetri, që nuk është munduar fare! Edhe kjo është një kotësi dhe një e keqe e madhe. |
22. | Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell? |
23. | Tërë ditët e tij nuk janë veçse dhembje dhe puna e tij është e rëndë. Zemra e tij nuk pushon as natën. Edhe kjo është kotësi. |
24. | Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë. |
25. | Kush mund të hajë ose të gëzohet më shumë se unë? |
26. | Sepse Perëndia i jep njeriut që i pëlqen dituri, njohje dhe gëzim; por mëkatarit i ngarkon detyrën të mbledhë dhe të grumbullojë, për t'ia lënë pastaj të gjitha atij që pëlqehet nga sytë e Perëndisë. Edhe kjo është kotësi dhe përpjekje për të kapur erën. |
← Ecclesiastes (2/12) → |