Ecclesiastes (1/12) → |
1. | Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit. |
2. | "Kotësi e kotësive", thotë Predikuesi; |
3. | "Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi". Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit? |
4. | Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë. |
5. | Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri. |
6. | Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime. |
7. | Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri. |
8. | Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar. |
9. | Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell. |
10. | A ka diçka për të cilën mund të thuhet: "Shiko, kjo është e re!". Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur. |
11. | Nuk mbetet asnjë kujtim nga gjërat e kaluara, dhe kështu nuk do të mbetet asnjë kujtim nga gjërat që do të ndodhin midis atyre që do të vijnë më pas. |
12. | Unë, Predikuesi, kam qenë mbret i Izraelit në Jeruzalem, |
13. | dhe kam kërkuar me zemër të zbuloj dhe të hetoj me dituri çdo gjë që ndodh nën qiell; kjo është një punë e rëndë që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve që ata të lodhen. |
14. | Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën. |
15. | Ajo që është e shtrëmbër nuk mund të drejtohet dhe ajo që mungon nuk mund të numërohet. |
16. | Unë kam folur me zemrën time, duke thënë: "Ja, kam fituar madhështi dhe dituri më të madhe se të gjithë ata që kanë mbretëruar para meje në Jeruzalem dhe zemra ime ka parë shumë dituri dhe njohuri". |
17. | Dhe ia kushtova zemrën time për të njojtur diturinë si dhe njohjes së marrëzisë dhe budallallëkut; dhe kuptova që edhe kjo është një kërkim për të kapur erën. |
18. | Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen. |
Ecclesiastes (1/12) → |