← Deuteronomy (33/34) → |
1. | Ky është bekimi me të cilin Moisiu, njeri i Perëndisë, bekoi bijtë e Izraelit, para se të vdiste. |
2. | Dhe u tha: "Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran, arriti nga mesi i një morie shenjtorësh; nga e djathta e tyre dilte për ta një ligj i zjarrtë. |
3. | Me siguri ai i do popujt; të gjithë shenjtorët e tij janë në duart e tua; ata janë ulur në këmbët e tua, secili i dëgjon fjalët e tua. |
4. | Moisiu na ka urdhëruar një ligj, një trashëgimi të asamblesë së Jakobit. |
5. | Ai ka qenë mbret në Jeshuruni, kur mblidheshin krerët e popullit, tërë fiset e Izraelit tok. |
6. | Rroftë Rubeni dhe mos vdektë; por njerëzit e tij mbetshin pak". |
7. | Judës përkundrazi i tha këto: "Dëgjo, o Zot, zërin e Judës dhe ktheje tek populli i tij; dora e tij lufton për çështjen e tij; bëhu ti një ndihmës i tij kundër armiqve të tij. |
8. | Pastaj për Levin tha: "Thumimët dhe Urimët e tu i përkasin njeriut tënd besimtar, që ti provove në Masa dhe me të cilin je grindur në ujërat e Meribës. |
9. | Ai thotë për të atin dhe për të ëmën: "Unë nuk i kam parë"; ai nuk i njohu vëllezërit e tij dhe nuk njohu bijtë; sepse Levitët kanë respektuar fjalën tënde dhe kanë ruajtur besëlidhjen tënde. |
10. | Ata u mësojnë dekretet e tua Jakobit dhe ligjin tënd Izraelit; vënë temjanin para teje dhe tërë olokaustin mbi altarin tënd. |
11. | O Zot, beko forcën e tij dhe prano veprën e duarve të tij. Shpo tej e përtej ata që ngrejnë krye kundër atij dhe që e urrejnë, me qëllim që të mos ngrihen më". |
12. | Përsa i përket Beniaminit, ai tha: "I dashuri i Zotit do të banojë me siguri pranë tij. Zoti do ta mbrojë vazhdimisht dhe do të banojë në krahët e tij". |
13. | Përsa i përket Jozefit, ai tha: "Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë, |
14. | me frytet e çmuara të diellit, me prodhimet e çmuara të çdo muaji, |
15. | me prodhimet më të mira të maleve të lashta, me dhuratat e çmuara të kodrave të përjetshme, |
16. | me dhuratat e çmuara të tokës dhe të të gjitha gjërave që ajo përmban. Favori i atij që ishte në ferrishte të bjerë mbi kryet e Jozefit, mbi majën e kokës së atij që është zgjedhur ndërmjet vëllezërve të tij! |
17. | Madhështia e tij është si ajo e demit të tij të parëlindur, brirët e tij janë si brirët e një bualli. Me to do të shpojë tërë popujt, deri në skajet e dheut. Këto janë moritë e Efraimit. Këto janë mijërat e Manasit". |
18. | Përsa i përket Zabulonit, ai tha: "Gëzoje, Zabulon, daljen tënde, dhe ti Isakar, ndejtjen në çadrat e tua! |
19. | Ata do të thërrasin popujt në mal dhe aty do të ofrojnë flijime drejtësie; sepse ata do të thithin bollëkun e detrave dhe thesaret e fshehura në rërë". |
20. | Përsa i përket Gadit, ai tha: "I bekuar qoftë ai që e shtrin Gadin. Ai rri shtrirë si një luaneshë dhe copëton krahë dhe kafkë. |
21. | Ai shtie në dorë pjesën e parë për veten e tij, sepse aty ishte pjesa e parë e rezervuar e udhëheqësit; ai erdhi me krerët e popullit dhe zbatoi drejtësinë e Zotit dhe dekretet e tij me Izraelin". |
22. | Përsa i përket Danit, ai tha: "Dani është një luan i vogël, që hidhet nga Bashani". |
23. | Përsa i përket Neftalit, ai tha: "O Neftali, i ngopur me favore dhe i mbushur me bekime të Zotit, pushto perëndimin dhe jugun". |
24. | Përsa i përket Asherit, ai tha: "Më i bekuari nga tërë bijtë qoftë Asheri! Le të jetë i preferuari i vëllezërve të tij dhe të zhysë këmbën e tij në vaj. |
25. | Sandalet e tij të jenë prej hekuri dhe prej bronzi, dhe forca jote të vazhdojë sa janë ditët e tua. |
26. | Askush nuk është barabar me Perëndinë e Jeshurunit, që shkon me kalë nëpër qiejtë në ndihmën tënde dhe shkon mbi retë me madhështinë e tij. |
27. | Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm. Ai do ta dëbojë armikun para teje dhe do të thotë: "Shkatërroje!". |
28. | Atëherë Izraeli do ta ndiejë veten të sigurtë, në një vend gruri dhe mushti; dhe qielli i tij di të japë vesë. |
29. | Ti je i lumtur, o Izrarel! Kush është barabar me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti? Ai është mburoja që të ndihmon dhe shpata e lavdisë sate. Armiqtë e tu do të të nënshtrohen dhe ti do të shkelësh vendet e tyre të larta". |
← Deuteronomy (33/34) → |