← Deuteronomy (25/34) → |
1. | "Në rast se fillon një grindje midis burrave dhe ata paraqiten në gjyq, gjykatësit do t'i gjykojnë duke i dhënë pafajësinë të pafajshmit dhe duke dënuar fajtorin. |
2. | Pastaj në se fajtori meriton të rrihet, gjykatësi do të urdhërojë që ta shtrijnë për tokë dhe ta rrahin në prani të tij, me një numër goditjesh simbas shkallës së fajit të tij. |
3. | Mund t'i jepen dyzet goditje, por jo më tepër, sepse, duke e kaluar këtë masë dhe duke e rrahur me një numër më të madh goditjesh, yt vëlla të mos përçmohet në sytë e tu. |
4. | Nuk do t'i vësh turizën kaut që shin grurin. |
5. | Në rast se disa vëllezër banojnë bashkë dhe njeri prej tyre vdes pa lënë fëmijë, gruaja e të ndjerit nuk do të martohet me një të huaj jashtë familjes; i kunati do të hyjë tek ajo dhe do ta marrë |
6. | dhe i parëlinduri që ajo do të lindë do të marrë emrin e vëllait të vdekur, me qëllim që emri i tij të mos fshihet në Izrael. |
7. | Por në rast se ai burrë nuk dëshiron të marrë të kunatën, kjo do të ngjitet në portën e pleqve dhe do të thotë: "Im kunat nuk pranon ta ngrerë emrin e vëllait të tij në Izrael; ai nuk dëshiron të kryejë ndaj meje detyrën e kunatit". |
8. | Atëherë pleqtë e qytetit të tij do ta thërrasin dhe do t'i flasin; dhe në qoftë se ai ngul këmbë dhe thotë: "Nuk dua ta marr", |
9. | atëherë kunata e tij do t'i afrohet në prani të pleqve do t'i heqë sandalën nga këmba, do ta pështyjë në fytyrë dhe do t'i thotë: "Këtë do të pësojë ai që nuk dëshiron të ndërtojë shtëpinë e vëllait të tij". |
10. | Dhe emri i tij në Izrael do të jetë: "Shtëpia e atij të cilit i është hequr sandalja". |
11. | Në rast se dy burra kanë një grindje midis tyre, dhe gruaja e njerit afrohet për të liruar të shoqin nga duart e atij që e rreh, shtrin dorën dhe e kap nga organet gjenitale, asaj do t'i pritet dora; |
12. | syri yt nuk do të ketë mëshirë për të. |
13. | Nuk do të kesh në thesin tënd dy pesha, një të madhe dhe një të vogël. |
14. | Nuk do të kesh në shtëpi dy masa, një të madhe dhe një të vogël. |
15. | Do të kesh një peshë të saktë dhe të drejtë, do të kesh një masë të saktë dhe të drejtë, me qëllim që ditët e tua të zgjaten në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep. |
16. | Sepse të gjithë ata që kryejnë veprime të tilla, të gjithë ata që sillen në mënyrë jo të drejtë, urrehen nga Zoti, Perëndia yt. |
17. | Kujto atë që të bëri Amaleku gjatë rrugës, kur dolët nga Egjipti; |
18. | ai të doli përballë rrugës, duke sulmuar nga prapa tërë të dobëtit që ishin të fundit, kur ti ishe i lodhur dhe i mbaruar, dhe nuk pati fare frikë nga Perëndia. |
19. | Kur, pra, Zoti, Perëndia yt, do të sigurojë qetësi nga armiqtë e tu rreth e përqark vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi për ta pushtuar, do të fshish kujtimin e Amalekut nën qiellin; mos e harro!". |
← Deuteronomy (25/34) → |