← Deuteronomy (19/34) → |
1. | "Kur Zoti, Perëndia yt, të ketë shfarosur kombet e vendeve që të jep dhe ti t'i kesh dëbuar dhe të banosh në qytetet dhe shtëpitë e tyre, |
2. | do të veçosh tri qytete, në mes të vendit, që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi. |
3. | Do të përgatisësh rrugë dhe do ta ndash në tri pjesë vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, me qëllim që çdo vrasës të mund të strehohet në të. |
4. | Dhe ky është rregulli për vrasësin që strehohet aty, që të shpëtojë jetën e tij: kushdo që ka vrarë të afërmin e tij pa dashje, pa e urryer më parë. |
5. | Kështu, kur dikush shkon me shokun e tij në pyll për të prerë dru dhe, ndërsa i bie një druri me sëpatë, sëpata del nga bishti dhe godet shokun që pastaj vdes, ai person do të strehohet në një nga këto qytete dhe do ta shpëtojë jetën; |
6. | sepse hakmarrësi i gjakut, ndërsa zemërimi i vlon në zemër, të mos e ndjekë vrasësin dhe ta arrijë, kur rruga është shumë e gjatë, dhe ta vrasë edhe pse nuk e meriton vdekjen, sepse në të kaluarën nuk e kishte urryer shokun e tij. |
7. | Prandaj të urdhëroj në këtë mënyrë: "Veço tri qytete". |
8. | Në rast se më pas Zoti, Perëndia yt, zgjeron kufijtë e tu, ashtu si u është betuar etërve të tu dhe ta jep tërë vendin që u kishte premtuar t'ua jepte etërve të tu, |
9. | në rast se ti respekton këto urdhra që unë të jap sot, duke e dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe duke ecur gjithnjë në rrugët e tij, atëherë do t'u shtosh tri qytete të tjera tri të parave, |
10. | me qëllim që të mos derdhet gjak i pafajshëm në mes të vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi dhe ti të mos bëhesh fajtor për vrasje. |
11. | Por në rast se një njeri urren të afërmin e tij, i zë pritë, e sulmon dhe e plagos për vdekje, dhe pastaj strehohet në një nga këto qytete, |
12. | pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë ta marrin që andej dhe do t'ia dorëzojnë hakmarrësit të gjakut që të vritet. |
13. | Syri yt nuk do të ketë mëshirë për të, por do t'i heqësh Izraelit fajin që ka derdhur gjak të pafajshëm, dhe kështu do të kesh mbarësi. |
14. | Nuk do të lëvizësh kufijtë e të afërmit tënd, të vendosura nga pasardhësit në trashëgiminë që do të gëzosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep në zotërim. |
15. | Një dëshmitar i vetëm nuk mjafton për të akuzuar dikë për çfarëdo krimi apo mëkati të kryer; fakti do të përcaktohet me deponimin e dy ose tre dëshmitarëve. |
16. | Në rast se kundër dikujt ngrihet një dëshmitar i rremë dhe e akuzon për një krim, |
17. | atëherë dy njerëzit midis të cilëve zhvillohet mosmarrëveshja do të paraqiten përpara Zotit, përpara priftërinjve dhe gjykatësve në funksion ato ditë. |
18. | Gjykatësi do ta hetojë me kujdes çështjen; dhe në rast se del që ai dëshmitar është një dëshmitar i rremë, që ka deponuar gënjeshtra kundër vëllait, |
19. | atëherë do t'i bëni atij atë që kishte ndër mënd t'i bënte vëllait të tij. Kështu do ta shkulni të keqen nga mesi juaj. |
20. | Të tjerët do ta mësojnë dhe do të trëmben, dhe qysh atëherë nuk do të kryhet më në mes tuaj një veprim aq i keq. |
21. | Syri yt nuk do të ketë mëshirë, por do t'i përmbahet rregullit jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë". |
← Deuteronomy (19/34) → |