← Deuteronomy (18/34) → |
1. | "Tërë priftërinjtë levitë, tërë fisi i Levit, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi në Izrael; do të jetojnë me flijimet e bëra me zjarr për Zotin, trashëgimi e tij. |
2. | Nuk do të kenë asnjë trashëgimi nga vëllezërit e tyre; sepse Zoti është trashëgimia e tyre, ashtu siç ua ka thënë. |
3. | Kjo është ajo që i detyrohet priftit populli, ata që ofrojnë një flijim, qoftë një lopë, një dele apo një dhi; ata do t'i japin priftit shpatullat, nofullat dhe plëndësin. |
4. | Do t'i japësh prodhimin e parë të grurit tënd, të mushtit tënd dhe të vajit tënd, si dhe qethjen e parë të dhenve të tua; |
5. | sepse Zoti, Perëndia yt, e ka zgjedhur midis gjithë fiseve të tu për të kryer shërbimin në emër të Zotit, atë vetë dhe bijtë e tij për gjithnjë |
6. | Por në rast se një Levit, që ka ardhur nga një prej qyteteve të tua të të gjithë Izraelit, ku ai banonte, vjen me gjithë dëshirën e zemrës së tij në vendin e zgjedhur nga Zoti, |
7. | atëherë ai do të mund të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si gjithë vëllezërit e tij Levitë që ndodhen aty përpara Zotit. |
8. | Ata do të marrin për mbajtjen e tyre pjesë të barabarta, përveç parave nga shitja e pasurisë së tyre. |
9. | Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të mësosh të shkosh pas veprave të neveritshme të këtyre kombeve. |
10. | Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, |
11. | as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, |
12. | sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje. |
13. | Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd; |
14. | sepse kombet, që ti do të dëbosh, i kanë dëgjuar shortarët dhe magjistarët; kurse ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të ka lejuar të veprosh kështu. |
15. | Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar, |
16. | në bazë të gjithë atyre gjërave që i kërkove Zotin, Perëndinë tënd, në Horeb, ditën e asamblesë, kur the: "Të mos dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe të mos shoh më këtë zjarr të madh, që unë të mos vdes". |
17. | Dhe Zoti më tha: "Atë që thanë, është mirë; |
18. | unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t'u thotë atyre të gjitha ato që unë do t'i urdhëroj. |
19. | Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t'i kërkoj llogari. |
20. | Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet". |
21. | Dhe në se ti thua në zemrën tënde: "Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?". |
22. | Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij". |
← Deuteronomy (18/34) → |