← Deuteronomy (14/34) → |
1. | "Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj; nuk do të bëni asnjë prerje dhe nuk do të rruheni midis syve për një të vdekur; |
2. | sepse ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, dhe Zoti të ka zgjedhur për të qenë një popull i tij, një thesar i veçantë ndër të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut. |
3. | Nuk do të hash asgjë të neveritshme. |
4. | Këto janë kafshët që mund të hani: lopa, delja, dhia, |
5. | dreri, gazela, dhia e egër, stambeku, antilopa dhe kaprolli. |
6. | Mund të hani çdo kafshë që e ka thundrën të ndarë, dhe që përtypet midis kafshëve. |
7. | Por nga ato që vetëm përtypen dhe që kanë vetëm thundrën të ndarë nuk do të hani devenë, lepurin dhe baldosën, që përtypen por nuk e kanë thundrën të ndarë; për ju janë të papastra; |
8. | edhe derri, që e ka thundrën të ndarë por nuk përtypet, është i papastër për ju. Nuk do të hani mishin e tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të vdekur. |
9. | Ndër të gjitha kafshët që rrojnë në ujë, mund të hani të gjitha ato që kanë pendë dhe luspa; |
10. | por nuk do të hani asnjë nga ato që nuk kanë pendë dhe luspa; janë të papastra për ju. |
11. | Mund të hani çdo zog të pastër; |
12. | por nuk do të hani këto: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan e detit, |
13. | qiftin, fajkuan dhe çdo lloj zhgabe, |
14. | çdo lloj korbi, |
15. | strucin, kukuvajkën mjekroshe, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë, |
16. | bufin, ibisin, mjellmën, |
17. | pelikanin, martin peshkatarin, kormoranin, |
18. | lejlekun, çdo lloj gate, pupëzën dhe lakuriqin e natës. |
19. | Çdo insekt që fluturon është i papastër për ju; nuk do ta hani. |
20. | Por mund të hani çdo zog që është i pastër. |
21. | Nuk do të hani asnjë kafshë që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme; mund t'ua jepni të huajve që janë brenda portave tuaja që t'i hanë ose mund t'ua shisni një të huaji, sepse ti je një popull që i je shenjtëruar Zotit, Perëndisë tënd. Nuk do ta gatuash kecin bashkë në qumështin e nënes së tij. |
22. | Do të zotohesh të japësh të dhjetën e asaj që mbjell dhe që të prodhon ara çdo vit. |
23. | Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur si vendbanim për emrin e tij, të dhjetën e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, dhe pjelljen e parë të tufave të bagëtive të trasha dhe të imta, në mënyrë që ti të mësosh të kesh gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia yt. |
24. | Por në rast se rruga është shumë e gjatë për ty dhe nuk mund t'i çosh deri atje të dhjetat, sepse vendi që Zoti, Perëndia yt, ka caktuar për të vendosur emrin e tij është shumë larg nga ty, kur Zoti, Perëndia yt, do të të ketë bekuar, |
25. | atëherë do t'i këmbesh ato me para dhe me paratë në dorë do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti, Perëndia yt; |
26. | dhe do t'i përdorësh këto para për të blerë të gjitha ato që dëshiron zemra jote: lopë, dele, verë, pije dehëse, ose çfarëdo gjë që dëshiron zemra jote; dhe aty do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të gëzohesh ti bashkë me familjen tënde. |
27. | Përveç kësaj nuk do të lesh pas dore Levitin, që banon brenda portave të tua, sepse ai nuk ka pjesë as trashëgimi me ty. |
28. | Në fund të çdo tre viteve, do të vësh mënjanë të gjitha të dhjetat e prodhimeve të tua të vitit të tretë, dhe do t'i vendosësh brenda portave të tua; |
29. | dhe Leviti, që nuk ka pjesë as trashëgimi me ty, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që gjenden brenda portave të tua, do të vinë, do të hanë dhe do të ngopen, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në çdo punë që do të të zërë dora". |
← Deuteronomy (14/34) → |