← Deuteronomy (11/34) → |
1. | "Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij. |
2. | Pranoni sot (sepse nuk u flas bijve tuaj që nuk e kanë njohur as e kanë parë disiplinën e Zotit, Perëndisë tuaj), madhështinë e tij, dorën e tij të fuqishme dhe krahun e shtrirë, |
3. | shenjat e tij dhe veprat e tij që ka bërë në Egjipt kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kundër vendit të tij, |
4. | atë që u bëri ushtrisë së Egjiptit, kuajve të saj dhe qerreve të saj, duke derdhur mbi të ujërat e Detit të Kuq ndërsa ata po ju ndiqnin, dhe si i shkatërroi Zoti për gjithnjë; |
5. | atë që bëri për ju në shkretëtirë, deri sa të arrinit në këtë vend; |
6. | dhe atë që u bëri Dathanit dhe Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit; si e hapi gojën toka dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me çadrat e tyre dhe me çdo gjë të gjallë që i pasonte, në mes të gjithë Izraelit. |
7. | Por sytë tuaja panë gjërat e mëdha që Zoti ka kryer. |
8. | Respektoni, pra, tërë urdhërimet që unë po ju jap sot, që të jeni të fortë dhe të mundni të pushtoni vendin që po bëheni gati të zotëroni, |
9. | dhe me qëllim t'i zgjatni ditët tuaja në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. |
10. | Mbasi vendi në të cilin jeni duke hyrë për ta pushtuar nuk është si vendi i Egjiptit prej të cilit keni dalë, ku mbillnit farën tuaj dhe pastaj e vaditnit me këmbën tuaj si një kopsht perimesh; |
11. | por vendi ku jeni duke hyrë për ta pushtuar është një vend me male dhe lugina, që thith ujin e shiut që vjen nga qielli; |
12. | një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes dhe mbi të cilin i janë drejtuar vazhdimisht sytë e Zotit, Perëndisë tënd, fillimi i vitit deri në mbarim të tij. |
13. | Por në rast se do t'i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, |
14. | do të ndodhë që unë do t'i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd; |
15. | dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh. |
16. | Kini kujdes që zemra juaj të mos mashtrohet dhe të mos largoheni nga rruga e drejtë, duke shërbyer dhe u përulur para perëndive të tjera; |
17. | sepse në këtë rast do të ndizet zemërimi i Zotit dhe ai do të mbyllë qiejtë dhe nuk do të ketë më shi, toka nuk do të japë prodhimet e saj dhe ju do të vdisni shpejt në vendin e mirë që Zoti po ju jep. |
18. | Do t'i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mëndjen tuaj, do t'i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve; |
19. | do t'ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecnën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh; |
20. | do t'i shkruash në shtalkat e shtëpi tënde dhe mbi portat e tua, |
21. | me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj, në vendin që Zoti është betuar t'u japë etërve tuaj, të jenë të shumta si ditët e qiellit mbi tokë. |
22. | Sepse, duke respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet që unë ju urdhëroj të zbatoni në praktikë, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij dhe duke qenë të lidhur ngushtë me të, |
23. | Zoti do të dëbojë para jush të gjitha kombet dhe ju do të shtini në dorë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ju. |
24. | Çdo vend që do të shkelë këmba juaj, do të jetë juaji; kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban, dhe nga lumi, lumi Eufrat, deri në detin perëndimor. |
25. | Askush nuk do të jetë në gjendje t'ju bëj ballë; Zoti, Perëndia juaj, ashtu siç ju tha, do të përhapë frikën dhe tmerrin për ju në të gjithë vendin që ju do të shkelni. |
26. | Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; |
27. | bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; |
28. | mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë. |
29. | Dhe kur Zoti, Perëndia juaj do të ketë futur në vendin që ti shkon të pushtosh, ti do ta vësh bekimin në malin Gerizim dhe mallkimin në malin Ebal. |
30. | A nuk janë ata matanë Jordanit, në perëndim të rrugës ku dielli perëndon; në vendin e Kananejve që banojnë në Arabah, përballë Gilgalit, pranë lisit të Morehut? |
31. | Sepse ju po gatiteni të kaloni Jordanin për të hyrë dhe për të pushtuar vendin që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep; ju do ta zotëroni dhe do të banoni në të. |
32. | Kini kujdes, pra, të zbatoni të gjitha statutet dhe dekretet, që unë shtroj sot para jush". |
← Deuteronomy (11/34) → |