Deuteronomy (1/34) → |
1. | Këto janë fjalët që Moisiu i drejtoi Izraelit matanë Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, përballë Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hatserothit dhe Zahabit. |
2. | Ka njëmbëdhjetë ditë rrugë nga mali Horeb, duke ndjekur rrugën e malit Seir, deri në Kadesh-Barnea. |
3. | Në vitin e dyzetë në muajin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, Moisiu u foli bijve të Izraelit, simbas porosive që i kishte dhënë Zoti, |
4. | mbas mundjes së Sihonit, mbretit të Amorejve që banonte në Heshbon, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit që banonte në Ashtaroth dhe në Edrej. |
5. | Matanë Jordanit, në vendin e Moabit, Moisiu filloi ta shpjegojë këtë ligj, duke thënë: |
6. | "Zoti, Perëndia ynë, na foli në Horeb dhe na tha: "Ju keni ndenjur mjaft afër këtij mali; |
7. | çoni çadrat, vihuni në lëvizje dhe shkoni në drejtim të krahinës malore të Amorejve dhe në drejtim të të gjitha vendeve të afërta me Arabahun, në krahinën malore dhe në ultësirën, në Negev e në bregun e detit, në vendin e Kananejve dhe në Liban, deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit. |
8. | Ja, unë e vura vendin para jush; hyni dhe shtjireni në dorë vendin që Zoti ishte betuar t'ua jepte etërve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, atyre dhe pasardhësve të tyre mbas tyre"". |
9. | "Në atë kohë unë ju fola dhe ju thashë: "Unë nuk mund ta mbaj i vetëm barrën që përfaqësoni ju të tërë. |
10. | Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar, dhe ja, sot jeni në numër të madh si yjet e qiellit. |
11. | Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju bëftë njëmijë herë më të shumtë, dhe ju bekoftë ashtu si ju ka premtuar! |
12. | Por si mundem unë, duke qenë i vetëm, të mbaj barrën tuaj, peshën tuaj dhe grindjet tuaja? |
13. | Zgjidhni nga fiset tuaja burra të urtë, me gjykim e me përvojë, dhe unë do t'i bëj prijës tuaj". |
14. | Dhe ju m'u përgjigjët, duke thënë: "Ajo që ti propozon të bësh është e mirë". |
15. | Atëherë mora prijësit e fiseve tuaja, njerëz të urtë dhe me përvojë, dhe i caktova si prijës tuaj, prijës të mijërave, të qindrave të pesëdhjetëve, të dhjetrave, dhe oficerë të fiseve tuaja. |
16. | Në atë kohë u dhashë këtë urdhër gjykatësve tuaj, duke u thënë: "Dëgjoni dhe gjykoni me drejtësi grindjet midis vëllezërve tuaj, midis një njeriu dhe të vëllait ose të huajit që ndodhet pranë tij. |
17. | Në gjykimet tuaja nuk do të keni konsiderata personale; do të dëgjoni si të madhin ashtu edhe të voglin; nuk do të keni frikë nga asnjeri, sepse gjykimi i përket Perëndisë; çështjen që është shumë e vështirë për ju do të ma paraqisni mua, dhe unë do ta dëgjoj". |
18. | Në atë kohë unë ju urdhërova të gjitha gjërat që duhet të bënit". |
19. | "Pastaj u nisëm nga mali i Horebit dhe përshkuam gjithë atë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme që keni parë, duke u drejtuar nga krahina malore e Amorejve, ashtu si na kishte urdhëruar Zoti, Perëndia ynë, dhe arritëm në Kadesh-Barnea. |
20. | Atëherë ju thashë: "Keni arritur në krahinën malore të Amorejve, që Zoti, Perëndia ynë, na jep. |
21. | Ja, Zoti, Perëndia ynë, e ka vënë vendin para teje, ngjitu dhe shtjire në dorë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu; mos ki frikë dhe mos u ligështo". |
22. | Atëherë ju, të gjithë ju, u afruat pranë meje dhe më thatë: "Të dërgojmë disa njerëz para nesh që të vëzhgojnë vendin për ne dhe të na tregojnë rrugën nëpër të cilën ne duhet të ngjitemi dhe qytetet në të cilat duhet të hyjmë". |
23. | Ky propozim më pëlqeu, kështu mora dymbëdhjetë njerëz nga radhët tuaja, një për çdo fis. |
24. | Dhe ata u nisën, u ngjitën drejt maleve, arritën në luginën e Eshkolit dhe vëzhguan vendin. |
25. | Morën me vete disa fruta të vendit, na i sollën dhe na paraqitën raportin e tyre, duke thënë: "Vendi që po na jep Zoti, Perëndia ynë, është i mirë"". |
26. | "Por ju nuk deshët të ngjiteni dhe ngritët krye kundër urdhërit të Zotit, Perëndisë tuaj; |
27. | dhe murmuritët në çadrat tuaja dhe thatë: "Zoti na urren, për këtë arsye na nxori nga vendi i Egjiptit për të na dorëzuar në duart e Amorejve dhe për të na shkatërruar. |
28. | Ku mund të shkojmë? Vëllezërit tonë na pezmatuan zemrën duke na thënë: Éshtë një popull më i madh dhe më shtatlartë se ne; qytetet janë të mëdha dhe të fortifikuara deri në qiell; pamë bile edhe bijtë e Anakimit". |
29. | Atëherë unë ju thashë: "Mos u trembni dhe mos kini frikë nga ata. |
30. | Zoti, Perëndia juaj, që shkon para jush, do të luftojë ai vetë për ju, ashtu si ka bërë para syve tuaj në Egjipt |
31. | dhe në shkretëtirë, ku ke parë se si Zoti, Perëndia yt, të ka shpënë ashtu si një njeri çon fëmijën e tij, gjatë gjithë rrugës që keni përshkuar deri sa arritët në këtë vend". |
32. | Megjithatë ju nuk patët besim tek Zoti, Perëndia juaj, |
33. | që shkonte në rrugë para jush për t'ju gjetur një vend ku të ngrinit çadrat, me zjarrin e natës dhe me renë e ditës, për t'ju treguar cilën rrugë duhet të ndiqnit. |
34. | "Kështu Zoti dëgjoi fjalët tuaja, u zemërua dhe u betua duke thënë: |
35. | Me siguri, asnjë nga njerëzit e këtij brezi të keq nuk do ta shohë vendin e mirë që jam betuar t'u jap etërve tuaj, |
36. | me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufehut. Ai do ta shohë; atij dhe bijve të tij do t'u jap tokën që ai ka shkelur, sepse i ka shkuar pas Zotit plotësisht". |
37. | Edhe kundër meje Zoti u zemërua për fajin tuaj dhe tha: "As ti nuk ke për të hyrë; |
38. | por Jozueu, bir i Nunit, që qëndron para teje, ka për të hyrë; përforcoje, se ai do ta bëjë Izraelin ta zotërojë vendin. |
39. | Fëmijët tuaj, që ju thatë se do të bëhen pre e armiqve, që sot nuk njohin as të mirën as të keqen, janë ata që do të hyjnë; do t'jua jap atyre vendin dhe ata do ta zotërojnë. |
40. | Ju kthehuni prapa dhe shkoni nga shkretëtira, në drejtim të Detit të Kuq". |
41. | Atëherë ju u përgjigjët, duke më thënë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit. Ne do të ngjitemi dhe do të luftojmë pikërisht ashtu si ka thënë Zoti, Perëndia ynë". Dhe secili prej jush ngjeshi armët dhe filloi me guxim të ngjitet në drejtim të krahinës malore. |
42. | Dhe Zoti më tha: "U thuaj atyre: Mos u ngjitni dhe mos luftoni, sepse unë nuk jam midis jush, dhe ju do të mundeni nga armiqtë tuaj". |
43. | Unë jua thashë, por ju nuk më dëgjuat; bile ngritët krye kundër urdhrit të Zotit, u sollët me mendjemadhësi dhe u ngjitët drejt krahinës malore. |
44. | Atëherë Amorejtë, që banojnë në këtë krahinë malore, dolën kundër jush, ju ndoqën si bëjnë bletët dhe ju prapsën nga Seiri deri në Hormah. |
45. | Pastaj ju u kthyet dhe filluat të qani përpara Zotit; por Zoti nuk mori parasysh ankimet tuaja dhe nuk ju dëgjoi. |
46. | Kështu mbetët shumë ditë në Kadesh, gjithë kohën që qëndruat atje". |
Deuteronomy (1/34) → |