← Daniel (4/12) → |
1. | "Mbreti Nebukadnetsar tërë popujve, tërë kombeve dhe gjuhëve, që banojnë mbi gjithë dheun: Paqja juaj qoftë e madhe. |
2. | M'u duk mirë t'i bëj të njohura shenjat dhe mrekullitë që Perëndia Më i Lartë ka kryer për mua. |
3. | Sa të mëdha janë shenjat e tij dhe sa të fuqishme mrekullitë e tij! Mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme dhe sundimi i tij vazhdon brez pas brezi. |
4. | Unë, Nebukadnetsari, isha i qetë në shtëpinë time dhe i gëzuar në pallatin tim. |
5. | Pashë një ëndërr që më tmerroi; mendimet që pata në shtratin tim dhe vegimet e mendjes sime më tmerruan. |
6. | Kështu dhashë urdhër që të sillnin para meje gjithë të diturit e Babilonisë, që të më bënin të njohur interpretimin e ëndrrës. |
7. | Atëherë erdhën magijstarët, astrologët, Kaldeasit dhe shortarët, të cilëve u tregova ëndrrën, por ata nuk mundën të më bënin të njohur interpretimin e saj. |
8. | Më në fund erdhi para meje Danieli, i quajtur Beltshatsar nga emri i perëndisë tim dhe tek i cili është fryma e perëndive të shenjta, dhe unë ia tregova ëndrrën: |
9. | Beltshatsar, kreu i magjistarëve, sepse unë e di që fryma e perëndive të shenjta është te ti dhe që asnjë sekret nuk të shqetëson, tregomë vegimet e ëndrrës që kam parë dhe interpretimin e saj. |
10. | Vegimet e mendjes sime kur isha në shtratin tim janë këto: Unë shikoja, dhe ja një dru në mes të dheut, lartësia e të cilit ishte madhe. |
11. | Druri u rrit dhe u bë i fortë; maja e tij arrinte në qiell dhe ai mund të shihej nga skajet e gjithë dheut. |
12. | Gjethnaja e tij ishte e bukur, fryti i tij i bollshëm dhe ai kishte ushqim për të gjithë; poshtë tij gjenin hije kafshët e fushave, shpendët e qiellit rrinin midis degëve të tij dhe nga ai merrte ushqim çdo qenie e gjallë. |
13. | Ndërsa në shtratin tim vëreja vegimet e mendjes sime, ja një roje, një i shenjtë, zbriti nga qielli, |
14. | bërtiti fort dhe tha kështu: "Prisni drurin dhe këputni degët e tij, shkundni fletët e tij dhe shpërndani frytet e tij; le të largohen kafshët që rrijnë poshtë tij dhe shpendët nga degët e tij. |
15. | Lëreni ndërkaq në tokë cungun e rrënjëve të tij, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le të laget nga vesa e qiellit dhe le të ketë bashkë me kafshët pjesën e barit që i takon. |
16. | Zemra e tij le të ndryshojë, dhe në vend të një zemre njeriu t'i jepet një zemër kafshe dhe le të kalojnë mbi të shtatë kohë. |
17. | Kjo është dekretuar nga rojet dhe vendimi vjen nga fjala e të shenjtëve në mënyrë që të gjallët të dijnë që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve; ai ia jep atij që dëshiron dhe larton mbi të të keqin e të këqijve". |
18. | Kjo është ëndrra që kam parë unë, mbreti Nebukadnetsar. Tani ti, Beltshatsar, jepi interpretimin, sepse asnjë nga të diturit e mbretërisë sime nuk është në gjendje të më bëjë të njohur interpretimin e saj; por ti mundesh, sepse fryma e perëndive të shenjta është te ti". |
19. | Atëherë Danieli, emri i të cilit është Beltshatsar, mbeti për një çast i tmerruar dhe mendimet e tij e shqetësonin. Mbreti filloi të thotë: "Beltshatsar, mos u turbullo as nga ëndrra as nga interpretimi |
20. | Druri që ti ke parë, që ishtë bërë i madh dhe i fortë, maja e të cilit arrinte deri në qiell dhe që dukej nga të gjitha skajet e dheut, |
21. | gjethnaja e të cilit ishte e bukur, fryti i bollshëm, dhe ku gjenin strehë kafshët e fushave dhe mbi degët e së cilës bënin folenë zogjtë e qiellit, |
22. | je ti, o mbret, që u bëre i madh dhe i fortë; madhështia jote është rritur dhe ka arritur deri në qiell dhe sundimi yt deri në skajet e dheut. |
23. | Sa për rojen, një i shenjtë, që mbreti e ka parë të zbresë nga qielli dhe të thotë: "Priteni drurin dhe shkatërrojeni, por lini në tokë cungun me rrënjë, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le ta lagë vesa e qiellit dhe le të ketë pjesën e tij bashkë me kafshët e fushave deri sa të kalojnë mbi të shtatë kohë". |
24. | Ky është interpretimi, o mbret; ky është dekreti i Shumë të Lartit, që është lëshuar për mbretin, zotin tim; |
25. | ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë bashkë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të lagesh nga vesa e qiellit; do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron. |
26. | Sa për urdhrin për të lënë cungun me rrënjë, kjo do të thotë se mbretëria jote do të rivendoset, mbasi të kesh pranuar që është qielli ai që sundon. |
27. | Prandaj, o mbret, prano këshillën time: jepu fund mëkateve të tua duke praktikuar drejtësinë dhe paudhësive të tua duke treguar mëshirë ndaj të varfëve; ndofta begatia jote do të zgjasë". |
28. | E tërë kjo i ndodhi mbretit Nebukadnetsar. |
29. | Dymbëdhjetë muaj më vonë, ndërsa shëtiste në pallatin mbretëror të Babilonisë, |
30. | mbreti filloi të thotë: "Nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë ndërtova si seli mbretërore me forcën e pushtetit tim dhe për lavdinë e madhërisë sime?". |
31. | Këto fjalë ishin akoma në gojë të mbretit, kur një zë zbriti nga qielli: "Ty, o mbret Nebukadnetsar, të shpall: mbretëria jote të është hequr; |
32. | ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron. |
33. | Në po atë çast fjala lidhur me Nebukadnetsarin u realizua. Ai u dëbua nga njerëzia, hëngri bar si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa flokët e tij u rritën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë e tij si kthetrat e shpendëve. |
34. | "Në fund të kësaj kohe, unë Nebukadnetsari ngrita sytë nga qielli dhe arsyeja m'u kthye, e bekova Shumë të Lartin dhe lëvdova dhe përlëvdova atë që rron përjetë, sundimi i të cilit është një sundim |
35. | Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t'ia ndalë dorën ose t'i thotë: "Çfarë po bën?". |
36. | Në po atë kohë m'u kthye arsyeja, dhe për lavdinë e mbretërisë sime m'u kthyen madhëria ime dhe shkëlqimi im. Këshilltarët e mi dhe të mëdhenjtë e mi më kërkuan, dhe unë u rivendosa në mbretërinë time dhe madhështia ime u rrit jashtëzakonisht. |
37. | Tani, unë Nebukadnetsari lëvdoj, lartësoj dhe përlëvdoj Mbretin e qiellit, sepse të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe rrugët e tij janë drejtësi; ai ka pushtet të poshtërojë ata që ecin me kryelartësi. |
← Daniel (4/12) → |