← Colossians (3/4) → |
1. | Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë, |
2. | sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. |
3. | Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të. |
4. | Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; |
5. | për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes, |
6. | midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to. |
7. | Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj. |
8. | Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, |
9. | edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi. |
10. | Këtu nuk ka më Grek e Jud, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar e Skithas, shërbëtor e i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë. |
11. | Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, |
12. | duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. |
13. | Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. |
14. | Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës! |
15. | Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! |
16. | Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t'i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij. |
17. | Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. |
18. | Ju bashkëshortë, duaini bashkëshortet tuaja dhe mos u bëni të ashpër ndaj tyre. |
19. | Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin. |
20. | Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra. |
21. | Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t'u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë. |
22. | Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, |
23. | duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit. |
24. | Por ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë, dhe nuk do të ketë anësi për asnjë. |
25. | Zotërinj, bëni ç'është e drejtë dhe arsyeshme ndaj shërbëtorëve, duke ditur se edhe ju keni një Zotëri në qiejt. |
← Colossians (3/4) → |