Amos (1/9) → |
1. | Fjalë të Amosit, një nga barinjtë e Tekoas, që pati vegime për Izraelin, në kohën e Uziahut, mbretit të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit, dy vjet para tërmetit. |
2. | Ai tha: "Zoti bërtet nga Sioni dhe bën që të dëgjohet zëri i tij në Jeruzalem; kullotat e barinjve janë të shkreta dhe maja e Karmelit u tha". |
3. | Kështu flet Zoti: "Për tre krime të Damaskut, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e kanë shirë Galaadin me shirëse prej hekuri. |
4. | Prandaj do të dërgoj zjarr në shtëpinë e Hazaelit, që do të gllabërojë pallatet e Ben-hadadit. |
5. | Do të copëtoj edhe shufrat e Damaskut, do të shfaros banorin e Bikath-avenit dhe atë që mban skeptrin e Beth-edenit, dhe populli i Sirisë do të shkojë në robëri në Kir", thotë Zoti. |
6. | Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Gazës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e saj, sepse kanë shpërngulur një popullatë të tërë për t'ia dorëzuar Edomit. |
7. | Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Gazës, që do të gllabërojë pallatet e saj. |
8. | Do të shfaros banorin prej Ashdodit dhe atë që mban skeptrin prej Ashkelonit; do ta kthej dorën time kundër Ekronit, dhe kusuri i Filistejve do të vdesë", thotë Zoti, Zoti. |
9. | Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Tiros, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse i kanë dorëzuar si robër Edomit një popullatë të tërë, pa kujtuar besëlidhjen vëllazërore. |
10. | Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Tiros, që do të gllabërojë pallatet e tij". |
11. | Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Edomit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka ndjekur me shpatë vëllanë e tij, duke mbytur çdo mëshirë; zemërimi i tij vepron vazhdimisht dhe indinjata e tij përjetë. |
12. | Prandaj do të dërgoj zjarr kundër Temanit, që do të gllabërojë pallatet e Botsrahut". |
13. | Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të bijve te Amonit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse u kanë çarë barkun grave me barrë të Galaadit për të zgjeruar kufijtë e tyre. |
14. | Prandaj do të ndez një zjarr brenda mureve të Rabahut, që do të gllabërojë pallatet e tij midis zhurmës së një dite beteje, midis shakullinës së një dite stuhie. |
15. | Mbreti i tyre do të shkojë në robëri, ai bashkë me krerët e tij", thotë Zoti. |
Amos (1/9) → |