| ← Acts (4/28) → |
| 1. | Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta, |
| 2. | të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve. |
| 3. | Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur. |
| 4. | Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë. |
| 5. | Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem, |
| 6. | bashkë me kryepriftin Anan dhe me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve. |
| 7. | Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: ''Me ç'pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?''. |
| 8. | Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: ''Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit! |
| 9. | Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai, |
| 10. | le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht. |
| 11. | Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes. |
| 12. | Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi''. |
| 13. | Ata, kur e panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin. |
| 14. | Duke parë pastaj në këmbë pranë tyre, njeriun që u shërua, nuk mund të thoshnin asgjë kundër. |
| 15. | Dhe, mbasi i urdhëruan të dalin jashtë sinedrit, u konsultuan me njëri tjetrin, |
| 16. | duke thënë: ''Ç't'u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u është njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit se është bërë një mrekulli e dukshme prej tyre, dhe ne nuk mund ta mohojmë; |
| 17. | por, që kjo të mos përhapet më shumë në popull, t'i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër''. |
| 18. | Dhe, si i thirrën, u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezusit. |
| 19. | Por Pjetri dhe Gjoni, duke iu përgjigjur atyre, thanë: ''Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë. |
| 20. | Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar''. |
| 21. | Ata pasi i kërcënuan përsëri, i lanë të shkojnë duke mos gjetur mënyrë se si t'i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur. |
| 22. | Sepse njeriu në të cilin kishte ndodhur ajo mrekulli e shërimit ishte më shumë se dyzet vjeç. |
| 23. | Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë. |
| 24. | Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: ''O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, |
| 25. | dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota? |
| 26. | Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij". |
| 27. | Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit, |
| 28. | për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin. |
| 29. | Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi, |
| 30. | duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit''. |
| 31. | Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltersi. |
| 32. | Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç'kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta. |
| 33. | Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata. |
| 34. | Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura, |
| 35. | dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij. |
| 36. | Kështu Iose, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba (që do të thotë "biri i ngushëllimit"), Levit, me prejardhje nga Qipro, |
| 37. | kishte një arë, e shiti dhe solli fitimin dhe i vuri te këmbët e apostujve. |
| ← Acts (4/28) → |