← Acts (20/28) → |
1. | Si pushoi trazira, Pali i thirri dishepujt pranë vetes, i përqafoi dhe u nis për të vajtur në Maqedoni. |
2. | Dhe si i përshkoi ato krahina dhe u dha shumë këshilla, shkoi në Greqi. |
3. | Dhe mbasi kaloi atje tre muaj, duke qenë se Judenjtë kishin kurdisur një komplot kundër tij kur përgatitej të lundronte për në Siri, vendosi të kthehet nga ana e Maqedonisë. |
4. | Dhe deri në Azi e përcollën Sopatri nga Berea, Aristarku dhe Sekundi nga Thesaloniki, Gai nga Derba dhe Timoteu, dhe Tikiku e Trofimi nga Azia. |
5. | Këta ishin nisur para nesh dhe na prisnin në Troas. |
6. | Kurse ne u nisëm nga Filipi, pas ditëve të të Ndormëve, dhe për pesë ditë i arritëm në Troas, ku qëndruam shtatë ditë. |
7. | Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë. |
8. | Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba. |
9. | Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur. |
10. | Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: ''Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të''. |
11. | Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis. |
12. | Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak. |
13. | Kurse ne, që kishim hipur tashmë në anije, lundruam për në Asos, ku kishim ndër mend të merrnim Palin, sepse kështu kishte caktuar, mbasi donte vetë të shkonte më këmbë. |
14. | Kur na arriti në Asos, e morëm dhe arritëm në Mitilinë. |
15. | Lundruam prej andej dhe të nesërmen arritëm përballë Hiosit; një ditë më pas arritëm në Samo dhe, pas një ndalese në Trogjili, arritëm të nesërmen në Milet. |
16. | Sepse Pali kishte vendosur të lundronte pa u ndalur në Efes, që të mos humbiste kohë në Azi; sepse nxitonte që të ndodhej, po të ishte e mundur, në Jeruzalem ditën e Rrëshajëve. |
17. | Nga Mileti dërgoi në Efes për të thirrur pleqtë e kishës. |
18. | Kur ata erdhën tek ai, ai u tha atyre: ''Ju e dini dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë, |
19. | duke i shërbyer Zotit me gjithë përulësi e me shumë lot e me prova që m'u bënë nga tinëzitë e Judenjve; |
20. | dhe si unë nuk fsheha asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpalla juve dhe jua mësova botërisht dhe nëpër shtëpi, |
21. | duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht. |
22. | Dhe ja, tani, i shtyrë nga Fryma, po shkoj në Jeruzalem pa ditur se ç'do të më ndodhë atje, |
23. | përveçse Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime. |
24. | Por unë nuk dua t'ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë. |
25. | Dhe ja, tani e di se të gjithë ju, në mes të të cilëve kam vajtur dhe ardhur duke predikuar mbretërinë e Perëndisë, nuk do të shihni më fytyrën time. |
26. | Prandaj sot po ju deklaroj se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve; |
27. | sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë. |
28. | Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij. |
29. | Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, |
30. | edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt. |
31. | Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot. |
32. | Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t'ju ndërtojë dhe t'ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve. |
33. | Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit. |
34. | Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua. |
35. | Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: "Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!"''. |
36. | Dhe, si kishte thënë këto gjëra, u ul mbi gjunjë dhe u lut me ata të gjithë. |
37. | Atëherë të gjithë qanë me të madhe, e rroknin në qafë Palin dhe e puthnin, |
38. | të hidhëruar sidomos për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij. Pastaj e përcollën në anije. |
← Acts (20/28) → |