← Acts (14/28) → |
1. | Ndodhi që edhe në Antioki ata hynë në sinagogën Ejudenjve dhe folën në mënyrë të tillë, sa një turmë e madhe Judenjsh dhe Grekësh besuan, |
2. | Porjudenjtë që nuk besuan i nxitën dhe i acaruan shpirtrat e johebrenjve kundër vëllezërve. |
3. | Ata, pra, qëndruan shumë kohë atje, duke folur lirisht në Zotin, i cili jepte dëshmi fjalës së hirit të tij, duke lejuar që me anë të duarve të tyre të bëheshin shenja dhe mrekulli. |
4. | Por popullsia e qytetit u nda: disa mbanin anën e Judenjve dhe të tjerë atë të apostujve. |
5. | Por kur u bë një orvatje nga ana e johebrenjve dhe e Judenjve me krerët e tyre për t'i keqtrajtuar apostujt dhe për t'i vrarë me gurë, |
6. | ata e morën vesh dhe ikën në qytetet e Likaonisë: në Listra, në Derbë dhe në krahinën përreth, |
7. | dhe atje vazhduan të ungjillëzonin. |
8. | Dhe në Listra ishte një njeri me këmbë të paralizuara, që rrinte gjithnjë ndenjur dhe nuk kishte ecur kurrë, sepse ishte sakat që nga barku i së ëmës. |
9. | Ky e dëgjoi duke folur Palin, i cili nguli sytë mbi të dhe pa se ai kishte besim për t'u shëruar, |
10. | dhe tha me zë të lartë: ''Çohu në këmbë!''. Dhe ai hovi lart dhe nisi të ecë. |
11. | Turma, kur pa ç'kishte bërë Pali, e ngriti zërin duke thënë në gjuhën likaonike: ''Perënditë zbritën ndër ne, në trajtë njeriu''. |
12. | Dhe e quanin Barnabën Jupiter, Palin Mërkur, sepse ai fliste më shumë. |
13. | Atëherë prifti i Jupiterit, që e kishte tempullin në hyrje të qytetit të tyre, solli dema me kurora pranë portave dhe donte të ofronte një flijim bashkë me turmën. |
14. | Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë: |
15. | ''O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta. |
16. | Në brezat që shkuan ai la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre; |
17. | por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim''. |
18. | Duke thënë këto gjëra, mundën t'i ndalin me vështirësi turmat që të mos u bëjnë flijim. |
19. | Por në atë kohë erdhën disa Judenj nga Antiokia dhe nga Ikoni; ata, mbasi ia mbushën mendjen turmës, e gjuajtën me gurë Palin dhe, duke menduar se kishte vdekur, e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit. |
20. | Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë. |
21. | Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki, |
22. | duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. |
23. | Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar. |
24. | Dhe, mbasi e përshkuan Pisidinë, ardhën në Panfili. |
25. | Dhe, mbasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali. |
26. | Pastaj që andej lundruan për në Antioki, prej nga ishin rekomanduar në hir të Perëndisë për veprën që posa kishin kryer. |
27. | Si arritën atje, mblodhën kishën dhe treguan ç'gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre dhe si u kishte hapur johebrenjve derën e besimit. |
28. | Dhe qëndruan atje me dishepujt mjaft kohë. |
← Acts (14/28) → |