← Acts (13/28) → |
1. | Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kireneas, Manaeni, që ishte rritur bashkë me Herodin tetrark, dhe Sauli. |
2. | Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: ''M'i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur''. |
3. | Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën. |
4. | Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro. |
5. | Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e Judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës. |
6. | Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus, |
7. | i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë, |
8. | por Elimas, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi. |
9. | Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha: |
10. | ''O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëvë të drejta të Zotit? |
11. | Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe''. Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore. |
12. | Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit. |
13. | Dhe Pali dhe shokët e vet hipën në anije nga Pafo dhe arritën nëpër det në Pergë të Panfilisë; por Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jeruzalem. |
14. | Por ata, duke vazhduar rrugën nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë; dhe, mbasi hynë në sinagogë ditën e shtunë, u ulën. |
15. | Mbas leximit të ligjit dhe të profetëve, krerët e sinagogës dërguan atyre për t'u thënë: ''Vëllezër, në qoftë se keni ndonjë fjalë këshilluese për popullin, ia thoni''. |
16. | Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bëri shenjë me dorë, tha: ''Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni! |
17. | Perëndia e këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej. |
18. | Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë. |
19. | Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre. |
20. | Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel. |
21. | Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet. |
22. | Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia". |
23. | Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus. |
24. | Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit. |
25. | Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t'i zgjidh sandalet e këmbëve". |
26. | Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi. |
27. | Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur Këtëjezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. |
28. | Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet. |
29. | Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr. |
30. | Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve; |
31. | dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit. |
32. | Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve, |
33. | duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde". |
34. | Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t'ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit". |
35. | Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje". |
36. | Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje, |
37. | por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje. |
38. | Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve, |
39. | dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut. |
40. | Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët: |
41. | "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t'jua tregonte dikush"''. |
42. | Dhe kur Judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t'u flisnin përsëri për këto gjëra. |
43. | Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga Judenjtë dhe nga prozelitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë. |
44. | Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. |
45. | Por Judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar. |
46. | Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ''Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve. |
47. | Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut"''. |
48. | Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan. |
49. | Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend. |
50. | Por Judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabës dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre. |
51. | Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon. |
52. | Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë. |
← Acts (13/28) → |