← Acts (12/28) → |
1. | Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha. |
2. | Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit. |
3. | Dhe, duke parë se kjo u pëlqente Judenjve, urdhëroi të arrestohet edhe Pjetri (ishin ditët e të Ndormëve). |
4. | Mbasi e arrestoi, e futi në burg dhe ua besoi ruajtjen e tij katër skuadrave, me nga katër ushtarë secila, duke menduar ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës. |
5. | Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të. |
6. | Dhe natën, para se ta nxirrte Herodi përpara popullit, Pjetri po flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur me dy zinxhirë; dhe rojet para portës ruanin burgun. |
7. | Dhe ja, një engjëll i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi qelinë; dhe ai i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi duke thënë: ''Çohu shpejt!''. Dhe zinxhirët i ranë nga duart. |
8. | Pastaj engjëlli i tha: ''Ngjishu dhe lidhi sandalet!''. Dhe ai bëri kështu. Pastaj i tha: ''Mbështillu me mantelin dhe ndiqmë!''. |
9. | Dhe Pjetri, mbasi doli, e ndiqte pa e kuptuar se ç'po i ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë; sepse ai pandehte se kishte një vegim. |
10. | Dhe, si kaluan vendrojën e parë dhe të dytë, arritën te dera e hekurt që të çonte në qytet, dhe ajo u hap përpara tyre vetvetiu; dhe, mbasi dolën, përshkuan një rrugë dhe papritmas engjëlli e la atë. |
11. | Kur Pjetri erdhi në vete, tha: ''Tani me të vërtetë po e di se Zoti ka dërguar engjëllin e vet dhe më liroi nga duart e Herodit duke e bërë të kotë gjithë atë që priste populli i Judenjve''. |
12. | Kur e kuptoi situatën, ai u nis për në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, ku shumë vëllezër ishin mbledhur dhe po luteshin. |
13. | Sapo Pjetri i ra derës së hyrjes, një shërbëtore që quhej Rode u afrua me kujdes për të dëgjuar. |
14. | Dhe, kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk e hapi derën, por rendi brenda dhe njoftoi se Pjetri ndodhej para derës. |
15. | Por ata i thanë: ''Ti flet përçart''. Por ajo pohonte se ashtu ishte. Dhe ata thoshnin: ''Éshtë engjëlli i tij!''. |
16. | Ndërkaq Pjetri vazhdonte të trokiste. Ata, kur e hapën, e panë atë dhe u mahnitën. |
17. | Por ai u bëri shenjë me dorë të heshtnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Pastaj tha: ''Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve!''. Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër. |
18. | Kur zbardhi dita, u bë një pështjellim i madh në mes të ushtarëve, sepse nuk dinin ç'kishte ndodhur me Pjetrin. |
19. | Dhe Herodi nisi ta kërkojë, por nuk e gjeti, dhe, mbasi i mori në pyetje rojet, urdhëroi që të vriten. Pastaj zbriti nga Judeja në Cezare dhe atje qëndroi për pak kohë. |
20. | Por Herodi ishte i zemëruar kundër tirasve dhe sidonasve; por ata, si u morën vesh midis tyre, u paraqitën para tij dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, kamarierit të mbretit, kërkuan paqe, sepse |
21. | Ditën e caktuar Herodi, i veshur me mantelin mbretëror dhe i ulur mbi fron, u mbajti një fjalim. |
22. | Populli e brohoriste, duke thënë: ''Zë e Perëndisë dhe jo e njeriut!''. |
23. | Në atë çast një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë; dhe, i brejtur nga krimbat, vdiq. |
24. | Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej. |
25. | Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark. |
← Acts (12/28) → |