← Acts (11/28) → |
1. | Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude morën vesh se edhe johebrenjtë kishin pranuar fjalën e Perëndisë. |
2. | Dhe, kur Pjetri u ngjit në Jeruzalem, ata që ishin rrethprerë haheshin me të, |
3. | duke thënë: ''Ti hyre në shtëpi të njerëzve të parrethprerë dhe hëngre me ta!''. |
4. | Por Pjetri, duke nisur nga fillimi, u shpjegoi atyre me radhë ngjarjet duke thënë: |
5. | ''Unë po lutesha në qytetin e Jopes, kur u rrëmbeva në ekstazë dhe pashë një vegim: një send, që i ngjante një çarçafi të madh të kapur në të katër cepat, po zbriste si të ulej poshtë prej qiellit dhe arriti deri tek unë. |
6. | Duke shikuar me vëmendje brenda, dallova dhe pashë katërkëmbësha, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë të qiellit. |
7. | Dhe dëgjova një zë që më thoshte: "Pjetër, çohu, ther dhe ha!". |
8. | Por unë thashë: "Kurrsesi, o Zot, sepse nuk më ka hyrë kurrë në gojë asgjë e papastër ose e ndotur". |
9. | Por zëri m'u përgjigj për të dytën herë nga qielli: "Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra!". |
10. | Dhe kjo ndodhi tri herë; pastaj gjithçka u tërhoq përsëri në qiell. |
11. | Në po atë moment tre njerëz, që i pata dërguar në Cezare, u paraqitën në shtëpinë ku ndodhesha unë. |
12. | Dhe Fryma më tha të shkoj me ta, pa pasë kurrfarë ngurrimi. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe kështu hymë në shtëpinë e atij njeriu. |
13. | Ai na tregoi se si kishte parë një engjëll që u paraqit në shtëpinë e tij dhe i tha: "Dërgo njerëz në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër. |
14. | Ai do të të thotë fjalët, me anë të të cilave do të shpëtohesh ti dhe gjithë shtëpia jote". |
15. | Sapo kisha filluar të flas, kur Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta, sikurse kishte zbritur në fillim mbi ne. |
16. | Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit që thoshte: "Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë". |
17. | Në qoftë se Perëndia, pra, u dha atyre të njëjtën dhuratë që kemi marrë ne, që besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund t'i kundërvihesha Perëndisë?''. |
18. | Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: ''Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t'u dhënë jetën!''. |
19. | Ndërkaq ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi me Stefanin, arritën deri në Feniki, në Qipro dhe në Antioki, duke mos ia shpallur fjalën asnjë tjetri, përveç Judenjve. |
20. | Por disa prej tyre me origjinë nga Qipro dhe nga Kirenea, kur arritën në Antioki, filluan t'u flasin Grekëve, duke shpallur Zotin Jezus. |
21. | Dhe dora e Zotit ishte me ta; dhe një numër i madh besoi dhe u kthye te Zoti. |
22. | Lajmi i kësaj arriti në vesh të kishës që ishte në Jeruzalem; dhe ata dërguan Barnabën, që të shkonte deri në Antioki. |
23. | Kur ai arriti, shikoi hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiti të gjithë t'i qëndrojnë besnikë Zotit, me dëshirën e zemrës, |
24. | sepse ai ishte njeri i mirë, plot me Frymë të Shenjtë dhe besim. Dhe një numër i madh personash iu shtua Zotit. |
25. | Pastaj Barnaba u nis për në Tars për të kërkuar Saulin dhe, si e gjeti, e çoi në Antioki. |
26. | Dhe plot një vit ata u bashkuan me atë kishë dhe mësuan një numër të madh njerëzish; dhe, për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën të Krishterë. |
27. | Në ato ditë disa profetë zbritën nga Jeruzalemi në Antioki. |
28. | Dhe një nga ata, me emër Agab, u ngrit dhe nëpërmjet Frymës parathoshte se do të ndodhte në mbarë botën një zi e madhe buke; dhe kjo ndodhi më vonë në kohën nën Klaud Cezarit. |
29. | Atëherë dishepujt, secili sipas mundësive të tij, vendosën t'u çojnë një ndihmë vëllezërve që banonin në Jude. |
30. | Dhe këtë ata e bënë, duke ua dërguar pleqve me anë të Barnabës dhe të Saulit. |
← Acts (11/28) → |