← Acts (10/28) → |
1. | Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik; |
2. | ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij; i jepte shumë lëmoshë popullit dhe vazhdimisht i lutej Perëndisë. |
3. | Ai pa qartë në një vegim, aty nga ora e nëntë e ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: ''Kornel!''. |
4. | dhe ai, duke ia ngulur sytë dhe shumë i trembur, i tha: ''Ç'është, Zot?''. Atëherë engjëlli i tha: ''Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua, janë ngjitur para Perëndisë, si një kujtesë; |
5. | tani, pra, dërgo disa njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, që e thërrasin Pjetër. |
6. | Ai gjendet pranë njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë afër detit; ai do të të thotë çfarë duhet të bësh''. |
7. | Sapo u largua engjëlli që i foli, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar besnik, nga ata që ishin në shërbimin e tij personal, |
8. | u tregoi çdo gjë dhe i nisi për në Jope. |
9. | Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t'u lutur. |
10. | E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë; |
11. | dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë, |
12. | dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli. |
13. | Dhe një zë i tha: ''Pjetër, çohu, ther dhe ha!''. |
14. | Por Pjetri u përgjigj: ''Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!''. |
15. | Dhe zëri i tha për të dytën herë: ''Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra''. |
16. | Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell. |
17. | Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç'kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera. |
18. | Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty. |
19. | Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: ''Ja, po të kërkojnë tre burra. |
20. | Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t'i kam dërguar''. |
21. | Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: ''Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?''. |
22. | Dhe ata i thanë: ''Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t'i thënë''. |
23. | Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan. |
24. | Një ditë më pas hynë në Cezare. Por Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë. |
25. | Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi. |
26. | Por Pjetri e ngriti duke thënë: ''Çohu, edhe unë jam një njeri!''. |
27. | Dhe, duke biseduar me të, hyri dhe gjeti mbledhur shumë njerëz. |
28. | Dhe ai u tha atyre: ''Ju e dini se nuk është e ligjshme që një Jude të shoqërohet me një të huaj ose të hyjë në shtëpinë e tij; por Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur. |
29. | Prandaj, sapo më ftuat të vij, erdha pa kundërshtuar. Tani po ju pyes: për ç'arsye më keni dërguar ftesë?''. |
30. | Dhe Korneli u përgjigj: ''Para katër ditësh kisha agjëruar deri në këtë orë, dhe në orën e nëntë po lutesha në shtëpinë time, kur ja, një njeri me rroba të shndritshme qëndroi para meje, |
31. | dhe tha: "Kornel, lutja jote t'u plotësua dhe lëmoshat e tua u kujtuan para Perëndisë. |
32. | Dërgo, pra, ndonjë njeri në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër; ai ndodhet në shtëpinë e Simonit, regjës lëkurësh, pranë detit; dhe, kur të vijë, ai do të të flasë". |
33. | Kështu dërgova menjëherë të të thërrasin, dhe ti bëre mirë që erdhe; tani ne këtu jemi të gjithë në prani të Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Perëndia të ka urdhëruar''. |
34. | Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: ''Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm; |
35. | por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai, |
36. | sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve. |
37. | Ju e dini se ç'ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni: |
38. | se si Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të. |
39. | Dhe ne jemi dëshmitarë për të gjitha ato që ai bëri në vendin e Judesë dhe në Jeruzalem; dhe se si ata e vranë, duke e varur në një dru. |
40. | Por Perëndia e ringjalli të tretën ditë dhe e bëri që ai të dëftohet, |
41. | jo mbarë popullit, por dëshmitarëve të paracaktuar nga Perëndia, neve, që hëngrëm dhe pimë me të, mbasi ai u ngjall së vdekuri. |
42. | Tani ai na urdhëroi t'i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gja-llëve dhe të të vdekurve. |
43. | Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij''. |
44. | Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Fryma e Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën. |
45. | Dhe të gjithë besimtarët që ishin të rrethprerë, të cilët kishin ardhur me Pjetrin, u mrekulluan që dhurata e Frymës se Shenjtë u shpërnda edhe mbi johebrenjtë, |
46. | sepse i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri filloi të thotë: |
47. | ''A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?''. |
48. | Kështu ai urdhëroi që ata të pagëzoheshin në emër të Zotit Jezus. Ata pastaj iu lutën të qëndronte disa ditë me ta. |
← Acts (10/28) → |