← 2Samuel (7/24) → |
1. | Ndodhi që, kur mbreti u vendos në shtëpinë e tij dhe Zoti i siguroi paqe nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, |
2. | mbreti i tha profetit Nathan: "Shiko, unë banoj në një shtëpi prej kedri, por arka e Perëndisë ndodhet poshtë një çadre". |
3. | Nathani iu përgjigj mbretit: "Shko, bëj gjithçka ke në zemër, sepse Zoti është me ty". |
4. | Por po atë natë fjala e Zotit iu drejtua Nathanit në këtë mënyrë: |
5. | "Shko t'i thuash shërbëtorit tim David: Kështu thotë Zoti: "A do të më ndërtosh një shtëpi, që unë të banoj në të? |
6. | Sepse nuk kam banuar në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë bijtë e Izraelit nga Egjiptit e deri më sot, por kam bredhur nën një çadër dhe në një tabernakull. |
7. | Kudo që kam shkuar në mes të të gjithë bijve të Izraelit, a i kam folur vallë ndonjë fisi të cilin e kisha urdhëruar të ushqente popullin tim të Izraelit, duke i thënë: Pse nuk më ndërtoni një shtëpi prej kedri?". |
8. | Tani do t'i thuash kështu shërbëtorit tim David; Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë të mora nga vatha, ndërsa shkoje me dele, që ti të bëheshe udhëheqës i Izraelit, i popullit tim. |
9. | Kam qenë pranë teje kudo që ke shkuar, kam shfarosur tërë armiqtë e tu para teje dhe e bëra emrin tënd të madh si ai i të mëdhenjve që janë mbi dhe. |
10. | Do t'i caktoj një vend Izraelit, popullit tim, dhe do ta ngulit që ai të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e shqetësojë më, që njerëzit e këqinj të mos vazhdojnë ta shtypin si në të kaluarën, |
11. | nga dita që kam vendosur gjyqtarë mbi popullin tim të Izraelit. Do të të siguroj paqe nga tërë armiqtë e tu. Përveç kësaj Zoti të shpall se ka për të të ndërtuar një shtëpi. |
12. | Kur t'i kesh mbushur ditët e tua dhe të jesh duke pushuar bashkë me etërit e tu, unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu që do të dalin nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. |
13. | Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij. |
14. | Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua; kur do të bëjë ndonjë të keqe, unë do ta dënoj me shufra njeriu dhe me goditje të bijve të njerëzve, |
15. | por mëshira ime do të largohet, ashtu siç ia kam hequr Saulit, që e kam hequr nga detyra para teje. |
16. | Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qendrueshme për gjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë". |
17. | Nathani i foli Davidit duke iu përmbajtur këtyre fjalëve dhe simbas vegimit të tij. |
18. | Atëherë mbreti David shkoi dhe u ul përpara Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot, o Zot, dhe çfarë është shtëpia ime që më bëri të vij deri këtu? |
19. | Por kjo ishte akoma një gjë e vogël në sytë e tu, o Zot, o Zot, sepse ti ke folur edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët; dhe ky është ligji i njeriut, o Zot, o Zot. |
20. | Çfarë mund të të thoshte më tepër Davidi? Ti e njeh shërbëtorin tënd, o Zot, o Zot! |
21. | Për dashurinë e fjalës sate dhe simbas zemrës sate ke bërë tërë këto gjëra të mëdha, me qëllim që t'ia bësh të njohur shërbëtorit tënd. |
22. | Për këtë je i madh, o Zot, o Perëndi. Asnjeri nuk është si ti dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, me sa kemi dëgjuar me veshët tona. |
23. | Dhe kush është si populli yt, si Izraeli, i vetmi komb mbi dhe që Perëndia erdhi ta shpengojë për vete si popullin e tij për të bërë emër dhe për të kryer për ty vepra të mëdha dhe të tmerrshme për tokën tënde përpara popullit tënd, të cilin e ke shpenguar për vete nga Egjipti, nga kombet e perëndive të tyre? |
24. | Dhe ti ke vendosur për vete që populli yt i Izaelit, të jetë populli yt për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tij. |
25. | Dhe tani, o Zot, o Perëndi, fjalën që ke thënë lidhur me shërbëtorin tënd dhe me shtëpinë e tij mbaje të qëndrueshme për gjithnjë dhe vepro ashtu si ke thënë, |
26. | me qëllim që emri yt të lavdërohet përjetë dhe të thuhet: "Zoti i ushtrive është Perëndia i Izraelit". Dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje! |
27. | Sepse ti, o Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia ke treguar këtë shërbëtorit tënd, duke i thënë: "Unë do të ndërtoj një shtëpi për ty". Prandaj shërbëtori yt pati guximin të të drejtojë këtë lutje. |
28. | Dhe tani, o Zot, o Zot, ti je Perëndia, fjalët e tua janë të vërteta, dhe i ke premtuar këto gjëra të bukura shërbëtorit tënd. |
29. | Prandaj tani prano të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, në mënyrë që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse ti, o Zot, o Zot, ke folur, dhe si pasojë e bekimit tënd shtëpia e shërbëtorit tënd do të jetë e bekuar përjetë!". |
← 2Samuel (7/24) → |