← 2Samuel (22/24) → |
1. | Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha: |
2. | "Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im, |
3. | Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna! |
4. | Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi. |
5. | Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar. |
6. | Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve. |
7. | Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij. |
8. | Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim. |
9. | Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij. |
10. | Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij. |
11. | Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës. |
12. | Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit. |
13. | Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij. |
14. | Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij. |
15. | Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau. |
16. | Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij. |
17. | Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha. |
18. | Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë |
19. | Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im, |
20. | ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej. |
21. | Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia, |
22. | sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im. |
23. | Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij. |
24. | Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë. |
25. | Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij. |
26. | Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë; |
27. | ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur. |
28. | Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t'i ulur. |
29. | Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim. |
30. | Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur. |
31. | Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai. |
32. | Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë? |
33. | Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time. |
34. | Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta. |
35. | Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi. |
36. | Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh. |
37. | Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast. |
38. | Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t'i shfarosja. |
39. | I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia. |
40. | Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje; |
41. | bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin. |
42. | Ata shikuan, por nuk pati njeri që t'i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre. |
43. | Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve. |
44. | Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer. |
45. | Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden. |
46. | Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre. |
47. | Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim! |
48. | Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt, |
49. | dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm. |
50. | Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd. |
51. | Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë". |
← 2Samuel (22/24) → |