← 2Samuel (2/24) → |
1. | Mbas kësaj, Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "A duhet të shkoj në ndonjë nga qytetet e Judës?". Zoti iu përgjigj: "Shko". Davidi e pyeti: "Ku të shkoj?". Zoti u përgjigj: "Në Hebron". |
2. | Kështu Davidi shkoi atje me dy gratë e tij, Jezreeliten Ahinoam dhe Karmelitën Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit. |
3. | Davidi çoi edhe njerëzit që ishin me të, secili me familjen e tij, dhe u vendosën në qytetet e Hebronit. |
4. | Pastaj erdhën njerëzit e Judës dhe e vajosën Davidin mbret të shtëpisë së Judës. Pas kësaj i thanë Davidit se qenë njerëzit e Jabeshit të Galaadit ata që kishin varrosur Saulin. |
5. | Atëherë Davidi u dërgoi lajmëtarë njerëzve të Jabeshit të Galaadit për t'u thënë: "Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur! |
6. | Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush. Edhe unë do t'ju bëj të mirë, sepse keni bërë një gjë të tillë. |
7. | Prandaj le të marrin forcë duart tuaja dhe qofshi trima, sepse Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më ka vajosur mbret të saj". |
8. | Ndërkohë Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së Saulit, mori Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe e çoi në Mahanaim; |
9. | dhe e bëri mbret të Galaadit, të Ashuritëve, të Jezreelit, të Efraimit, të Beniaminit dhe të tërë Izraelit. |
10. | Ish-Boshethi, bir i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë mbi Izrael dhe mbretërimi i tij vazhdoi dy vjet. Por shtëpia e Judës shkonte pas Davidit. |
11. | Koha që Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës ishte shtatë vjet e gjashtë muaj. |
12. | Ndërkaq Abneri, bir i Nerit, dhe shërbëtorët e Ish-Boshethit, birit të Saulit, lëvizën nga Mahanaim në drejtim të Gabaonit. |
13. | Edhe Joabi, biri i Tserujahut dhe shërbëtorët e Davidit lëvizën dhe i takuan pranë hauzit të Gabaonit. Kështu u ndalën njera palë nga njera anë e hauzit dhe tjetra nga ana tjetër. |
14. | Atëherë Abneri i tha Joabit: "Le të çohen të rinjtë dhe të dalin para nesh". Joabi u përgjigj: "Po, le të çohen". |
15. | Kështu u ngritën dhe dolën përpara në numër të barabartë: dymbëdhjetë për Beniaminin dhe për Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe dymbëdhjetë nga shërbëtorët e Davidit. |
16. | Secili kapi kundërshtarin e tij nga koka dhe i futi shpatën në ije; kështu ranë të gjithë bashkë. Ky vend u quajt për këtë arësye fusha e njerëzve të fortë; gjendet në Gabaon. |
17. | Po atë ditë u zhvillua një betejë shumë e ashpër në të cilën Abneri me njerëzit e Izraelit u mund nga shërbëtorët e Davidit. |
18. | Dhe aty ishin tre djemtë e Tserujahut: Joabi, Abishai dhe Asaheli; dhe Asaheli ishte i shpejtë si një gazelë fushe. |
19. | Asaheli filloi të ndiqte Abnderin pa u kthyer as djathtas, as majtas pas Abnerit. |
20. | Pastaj Abneri u kthye prapa dhe tha: "Je ti, Asahel?". Ai u përgjigj: "Jam unë". |
21. | Abneri i tha: "Kthehu djathtas ose majtas, kap një nga të rinjtë dhe merrja armët!". Por Asaheli nuk deshi të hiqte dorë nga ndjekja e tij. |
22. | Abneri i tha përsëri Asahelit: "Hiq dorë nga ndjekja. Pse më detyron të të shtrij për tokë? Si do të mund ta shikoj atëherë në fytyrë vëllanë tënd Joab?". |
23. | Por ai nuk pranoi të ndërrojë rrugë; prandaj Abneri me pjesën e prasme të shtizës e goditi në pjesën e poshtme të barkut dhe shtiza i doli nga pas; ai ra për tokë dhe vdiq në vend; dhe tërë ata që kalonin nga vendi ku Asaheli kishte rënë dhe kishte vdekur ndaleshin. |
24. | Por Joabi dhe Abishai e ndoqën Abnerin; kur perëndoi dielli ata arritën në qafën e Amahut, që ndodhet përballë Giahut, në rrugën e shkretëtirës së Gabaonit. |
25. | Bijtë e Beniamnit u mblodhën pas duke formuar një grup të vetëm dhe u ndalën në majë të një kodre. |
26. | Atëherë Abneri thirri Joabin dhe tha: "Shpata, vallë duhet të gllabërojë gjithnjë? Nuk e di ti që në fund do të ketë hidhërim? Vallë, kur do ta urdhërosh popullin të mos ndjekë më vëllezërit e tij?". |
27. | Joabi u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Perëndia jeton, po të mos kishe folur ti, populli nuk do të kishte hequr dorë nga ndjekja e vëllezërve të tij deri në mëngjes". |
28. | Atëherë Joabi i ra borisë dhe tërë populli u ndal, nuk e ndoqi më Izraelin dhe hoqi dorë nga luftimi. |
29. | Abneri dhe njerëzit e tij ecën gjithë atë natë nëpër Abrahun, kapërcyen Jordanin, kaluan tërë Bithronin dhe arritën në Mahanaim. |
30. | Edhe Joabi u kthye nga ndjekja e shërbëtorëve të Abnerit dhe mblodhi tërë popullin; Davidit i mungonin nëntëmbëdhjetë veta dhe Asaheli. |
31. | Por shërbëtorët e Davidit kishin vrarë treqind e gjashtëdhjetë veta të Beniaminit dhe Abnerit. |
32. | Pastaj çuan Asahelin dhe e varrosën në varrin e atit të tij, që ndodhet në Betlem. Pas kësaj Joabi dhe njerëzit e tij ecën tërë natën dhe arritën në Hebron në të gdhirë. |
← 2Samuel (2/24) → |