← 2Samuel (13/24) → |
1. | Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të. |
2. | Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t'i bënte gjë. |
3. | Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak. |
4. | Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom". |
5. | Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"". |
6. | Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj". |
7. | Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t'i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë". |
8. | Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi. |
9. | Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t'i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë. |
10. | Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj. |
11. | Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime". |
12. | Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë! |
13. | Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje". |
14. | Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të. |
15. | Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: "Çohu, shko!". |
16. | Por ajo iu përgjigj: "Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani". Por ai nuk deshi ta dëgjojë. |
17. | Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: "Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj". |
18. | Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj. |
19. | Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur. |
20. | Absalomi, vëllai, i tha: "Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë". Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. |
21. | Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë. |
22. | Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara. |
23. | Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit. |
24. | Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: "Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!". |
25. | Por mbreti i tha Absalomit: "Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë". Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij. |
26. | Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?". |
27. | Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit. |
28. | Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: "Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t'ju them: "Goditeni Amnonin!", ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!". |
29. | Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën. |
30. | Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: "Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre". |
31. | Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura. |
32. | Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: "Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara. |
33. | Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur, |
34. | dhe Absalomi ka ikur". Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit. |
35. | Jonadabi i tha mbretit: "Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt". |
36. | Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe. |
37. | Absaloni kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij. |
38. | Kështu Absalimo ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet. |
39. | Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushulluar tanimë nga vdekja e Amnonit. |
← 2Samuel (13/24) → |