← 2Kings (6/25) → |
1. | Dishepujt e profetëve i thanë Eliseut: "Ja, vendi ku ne banojmë me ty është tepër i vogël për ne. |
2. | Na lër të shkojmë deri në Jordan: atje secili prej nesh do të gjejë një tra dhe do të bëjmë një vend për të banuar". Eliseu u përgjigj: "Shkoni". |
3. | Njëri prej tyre tha: "Të lutem, prano të vish edhe me shërbëtorët e tu". Ai u përgjigj: "Do të vij". |
4. | Kështu ai shkoi me ata. Kur arritën në Jordan, filluan të presin disa drurë. |
5. | Ndërsa njeri prej tyre po i binte një trungu, hekuri i sëpatës i ra në ujë. Ai filloi të bërtasë dhe tha: "Oh, o imzot, këtë e kisha marrë hua". |
6. | Njeriu i Perëndisë pyeti: "Ku ka rënë?". Ai i tregoi vendin. Atëherë Eliseu preu një copë druri, e hodhi në atë pikë dhe nxorri në sipërfaqe hekurin. |
7. | Pastaj tha: "Merre". Kështu ai shtriu dorën dhe e mori. |
8. | Ndërsa mbreti i Sirisë ishte në luftë kundër Izraelit, duke u këshilluar me shërbëtorët e tij, ai tha: "Kampi im do të jetë në filan vend". |
9. | Atëherë njeriu i Perëndisë dërgoi t'i thotë mbretit të Izraelit: "Mos trego pakujdesi për filan vend, sepse aty po zbresin Sirët". |
10. | Prandaj mbreti i Izraelit dërgoi njerëz në vendin që njeriu i Perëndisë i kishte treguar dhe e kishte paralajmëruar të tregohej i kujdesshëm. Kështu ai u tregua vigjilent ndaj këtij vendi dhe kjo ndodhi jo vetëm një a dy herë. |
11. | Shumë i tronditur në zemër të tij për këtë gjë, mbreti i Sirisë mblodhi shërbëtorët e tij dhe u tha: "A dini të më thoni se kush nga tanët mban anën e mbretit të Izraelit?". |
12. | Një nga shërbëtorët e tij u përgjigj: "Asnjeri, o mbret, imzot, por Eliseu, profeti që ndodhet në Izrael, i bën të njohur mbretit të Izraelit bile edhe fjalët që ti thua në dhomën e gjumit". |
13. | Atëherë mbreti tha: "Shkoni të shihni se ku është, që të mund të dërgoj njerëz për ta marrë". I bënë këtë njoftim: "Ja, ndodhet në Dothan". |
14. | Kështu mbreti dërgoi aty kuaj, qerre dhe një ushtri të madhe; këta arritën natën dhe rrethuan qytetin. |
15. | Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: "Oh, ç'do të bëjmë, imzot?". |
16. | Ai u përgjigj: "Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta". |
17. | Pastaj Eliseu u lut dhe tha: "O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë". Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut. |
18. | Ndërsa Sirët po zbrisnin në drejtim të Eliseut, ky iu lut Zotit dhe i tha: "Të lutem, goditi këta njerëz me verbëri". Dhe ai i verboi sipas fjalës së Eliseut. |
19. | Atëherë Eliseu u tha atyre: "Nuk është kjo rruga dhe nuk është ky qyteti; ejani pas meje dhe unë do t'ju çoj te njeriu që kërkoni". I çoi pastaj në Samari. |
20. | Kur arritën në Samari, Eliseu tha: "O Zot, hapua sytë që të shohin". Zoti ua hapi sytë dhe ata panë; ja, ndodheshin brenda në Samari. |
21. | Kur mbreti i Izraelit i pa, i tha Eliseut: "O ati im, duhet t'i vras? A duhet t'i vras? |
22. | Ai u përgjigj: "Mos i vrit! A do të vrisje, vallë ata që ke zënë robër me shpatën dhe me harkun tënd? Vëru përpara bukë dhe ujë, që të hanë dhe të pinë dhe pastaj të kthehen te zotit të tyre". |
23. | Atëherë ai përgatiti për ta një banket të madh. Pasi hëngrën dhe pinë, u ndame ta dhe ata u kthyen përsëri te zotit të tyre. Kështu bandat e Sirëve nuk erdhën më të bëjnë sulme në territorin e Izraelit. |
24. | Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që Ben Hadadi, mbret i Sirisë, mblodhi tërë ushtrinë e tij dhe u nis kundër Samarisë për ta rrethuar. |
25. | Në Samari ra një zi e madhe; rrethimi i Sirëve qe aq i fortë sa një kokë gomari shitej tetëdhjetë sikla argjendi dhe një çerek kabi glasash pëllumbi pesë sikla argjendi. |
26. | Kur mbreti i Izraelit po kalonte mbi muret, një grua i bërtiti dhe i tha: "Ndihmë, o mbret, o imzot!". |
27. | Ai iu përgjigj: "Në rast se nuk të ndihmon Zoti, ku mund ta gjej unë ndihmën për ty? Mos vallë me prodhimet e lëmit dhe të troullit?". |
28. | Pastaj mbreti shtoi: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Kjo grua më tha: "Më jep djalin tënd që ta hamë sot; djalin tim do ta hamë nesër". |
29. | Kështu e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm. Të nesërmen i thashë: "Më jep djalin tënd që ta hamë". Por ajo e fshehu djalin e saj". |
30. | Kur mbreti dëgjoi këto fjalë të gruas, grisi rrobat e tij. Ndërsa kalonte mbi muret, populli shikoi, dhe ja, ai kishte një grathore mbi lëkurë. |
31. | Atëherë mbreti tha: "Perëndia të më bëjë këtë dhe më keq, në qoftë se sot koka e Eliseut, birit të Shafatit, ka për të mbetur akoma mbi supet e tij!". |
32. | Eliseu po rrinte ulur në shtëpinë e tij dhe me të ishin ulur pleqtë. Mbreti dërgoi para tij një njeri; por para se lajmëtari të arrinte tek ai, ai u tha pleqve: "A e shikoni se ky bir vrasësi ka dërguar një person për të më prerë kokën? Kini kujdes, kur të arrijë lajmëtari, mbyllni portën dhe bllokojeni te porta. A nuk dëgjohet prapa tij vallë, zhurma e hapave të zotit të tij?". |
33. | Ndërsa ai vazhdonte të fliste akoma me ta, ja ku zbriti tek ai lajmëtari. Atëherë mbreti tha: "Ja, kjo fatkeqësi vjen nga Zoti; çfarë mund të shpresoj akoma unë nga Zoti?". |
← 2Kings (6/25) → |