← 2Kings (15/25) → |
1. | Në vitin e njëzeteshtatë të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, filloi të mbretërojë Azariahu, bir i Amatsiahut dhe mbret i Judës. |
2. | Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi. |
3. | Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Amatsiahu. |
4. | Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi, populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta. |
5. | Pastaj Zoti goditi mbretin, që u bë lebroz deri në ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar; Jothami, bir i mbretit ishte mbikqyrësi i pallatit mbretëror dhe i siguronte drejtësinë popullit të vendit. |
6. | Pjesa tjetër e bëmave të Azariahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? |
7. | Kështu Azariahun e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotham. |
8. | Vitin e tridhjetetetë të Azariahut, mbretit të Judës, Zakaria, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe e mbajti fronin gjashtë muaj. |
9. | Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishin bërë etërit e tij; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte çuar në mëkat Izraelin. |
10. | Pastaj Shalumi, bir i Jabeshit, kurdisi një komplot kundër tij; e goditi dhe e vrau përpara popullit, dhe mbretëroi në vend të tij. |
11. | Pjesa tjetër e bëmave të Zakarisë a nuk është shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
12. | Kjo ishte fjala e Zotit që i kishte thënë Jehut: "Bijtë e tu do të ulen në fronin e Izraelit deri në brezin e katërt". Dhe kështu ndodhi. |
13. | Shalumi, bir i Jabeshit, filloi të mbretërojë vitin e tridhjetenëntë të Uziahut, mbretit të Judës, dhe mbretëroi plot një muaj në Samari. |
14. | Pastaj Menahemi, bir i Gadit, doli nga Titrtsahu dhe hyri në Samari; në Samaria goditi Shalumin, birin e Jabeshit, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij. |
15. | Pjesa tjetër e bëmave të Shalumit dhe komploti që ai kurdisi a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
16. | Pastaj Menahemi, duke u nisur nga Tirtsahu, goditi Tifsahun, tërë ata që gjendeshin aty dhe territorin e tij, sepse nuk i kishin hapur portat; kështu i goditi dhe u çau barkun grave me barrë. |
17. | Vitin e tridhjetenëntë të mbretërisë së Azariahut, mbretit të Judës, Menahemi, bir i Gadit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin, dhe e mbajti fronin dhjetë vjet në Samari. |
18. | Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate. |
19. | Puli, mbret i Sirisë, erdhi kundër vendit. Atëherë Menahemi i dha Pulit një mijë talenta argjendi me qëllim që ta ndihmonte për ta bërë më të qëndrueshme mbretërinë në duart e tij. |
20. | Menahemi bëri që këto të holla të paguheshin nga Izraeli, nga të gjithë njerëzit e pasur, në masën pesëdhjetë sikla argjendi për frymë, për t'ia dhënë mbretit të Asirisë. Kështu mbreti i Asirisë u kthye dhe nuk qëndroi në vend. |
21. | Pjesa tjetër e bëmave të Menahemit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
22. | Kështu Menahemin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Pekahiahu. |
23. | Në vitën e pesëdhjetë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahiahu, bir i Menahemit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari; dhe mbretëroi dy vjet. |
24. | Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishin bërë Izraelin të kryente mëkate. |
25. | Pastaj Pekahu, bir i Remaliahut, kapitenit të tij, kurdisi një komplot kundër tij dhe e goditi në Samari, në kullën e pallatit mbretëror, bashkë me Argobin dhe Ariehun, duke pasur me vete pesëdhjetë burra të Galaadit. Ai vrau dhe mbretëroi në vend të tij. |
26. | Pjesa tjetër e bëmave të Pekahiahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
27. | Vitin e pesëdhjetedytë të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahu, bir i Remaliahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi njëzet vjet. |
28. | Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit; nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate. |
29. | Në kohën e Pekahiahut, mbretit të Izraelit erdhi Tiglath-Pileseri, mbret i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel-Keth-Maakahun, Janoahun, Kedeshin, Hatsorin, Galaadin, Galilenë dhe tërë vendin e Neftalit; dhe i internoi tërë banorët e tyre në Asiri. |
30. | Pastaj Hosea, bir i Elahut, kurdisi një komplot kundër Pekahut, birit të Remaliahut, e goditi dhe e vrau; kështu mbretëroi në vendin e tij, vitin e njëzetë të mbretërimit të Jothamit, birit të Uziahut. |
31. | Pjesa tjetër e bëmave të Pekahut dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
32. | Vitin e dytë të mbretërisë së Pekahut, birit të Remaliahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Jothami, bir i Uziahut, mbret i Judës. |
33. | Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbajti fronin gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerusha; ishte bijë e Tsadokut. |
34. | Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit; ashtu si kishte vepruar Uziahu, i ati. |
35. | Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën nga vendi; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta. Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit. |
36. | Pjesa tjetër e bëmave të Jothmit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? |
37. | Në atë kohë Zoti dërgoi kundër Judës, Retsinin, mbretin e Sirisë dhe Pekahun, birin e Remaliahut. |
38. | Kështu Jothamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi. |
← 2Kings (15/25) → |