← 2Kings (10/25) → |
1. | Ashabi kishte në Samari shtatëdhjetë bij. Jehu shkroi letra dhe ua dërgoi në Samari krerëve të qytetit, pleqve dhe tutorëve të bijve të Ashabit; në to thoshte: |
2. | "Sa t'ju arrijë kjo letër, me qenë se keni me vete bijtë e zotit suaj dhe keni qerre dhe kuaj, një qytet të fortifikuar dhe armë, |
3. | zgjidhni birin më të mirë dhe më të përshtatshëm të zotit suaj, vendoseni mbi fronin e atit të tij dhe luftoni për shtëpinë e zotit suaj". |
4. | Por ata patën shumë frikë dhe thanë: "Ja, dy mbretër nuk mundën ta përballojnë; si mund ta përballojmë ne?". |
5. | Prandaj prefekti i pallatit, qeveritari i qytetit, pleqtë dhe tutorët e bijve të Ashabit dërguan t'i thonë Jehut: "Ne jemi shërbëtorët e tu dhe do të bëjmë të gjitha ato që do të na urdhërosh; nuk do të zgjedhim asnjë mbret; bëj atë që të duket më e mirë". |
6. | Atëherë ai u shkroi një letër të dytë, në të cilën thoshte: "Në rast se mbani anën time dhe doni t'i bindeni zërit tim, merrni kokat e atyre njerëzve, të bijve të zotit suaj dhe ejani tek unë në Jezreel, nesër në këtë orë". Bijtë e mbretit, gjithsej shtatëdhjetë, rrinin me fisnikët e qytetit, që i edukonin. |
7. | Me të marrë letrën, ata morën bijtë e mbretit dhe i therën të shtatëdhjetët; pastaj i vunë në shporta kokat e tyre dhe ia çuan Jehut në Jezreel. |
8. | Kështu erdhi një lajmëtar për t'i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "Kanë sjellë kokat e bijve të mbretit". Jehu u përgjigj: "Vendosini në dy grumbuj në hyrje të portës deri nesër në mëngjes". |
9. | Të nesërmen ai doli dhe, duke qëndruar në këmbë, i tha tërë popullit: "Ju jeni të drejtë; ja, unë kam komplotuar kundër zotërisë sime dhe e kam vrarë; po kush i ka vrarë tërë këta? |
10. | Pranoni, pra, që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e Zotit që ky ka shqiptuar kundër shtëpisë të Ashabit; Zoti në të vërtetë ka kryer atë që kishte thënë me anë të shërbëtorit të tij Elia". |
11. | Kështu Jehu bëri që të vdesin tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Jezreel, tërë të mëdhenjtë, miqtë dhe priftërinjtë e tij, pa lënë asnjë prej tyre. |
12. | Pastaj u ngrit dhe shkoi në Samari. Gjatë rrugës, me të arritur në Beth-Eked, |
13. | Jehu takoi vëllezërit e Ashaziahut, mbretit të Judës, dhe tha: "Kush jeni?". Ata u përgjigjën: "Jemi vëllezërit e Ashaziahut dhe po zbresim për të përshëndetur bijtë e mbretit dhe bijtë e mbretëreshës". |
14. | Atëherë ai urdhëroi: "Kapini të gjallë!". Kështu i zunë të gjallë dhe i therën pranë pusit të Beth-Ekedit, gjithsej dyzet e dy veta; nuk kursyen as edhe një. |
15. | U nis që andej dhe gjeti Jehonadabin, birin e Rekabit, që iu kishte dalë para; e përshëndeti dhe i tha: "A është zemra jote e drejtë ashtu siç është imja ndaj teje?". Jehonadabi u përgjigj: "Éshtë". |
16. | "Eja me mua dhe do të shohësh zellin tim për Zotin!". Pastaj e mori me vete në qerren e tij. |
17. | Me të arritur në Samari, vrau tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Samari, deri në shkatërimin e plotë të saj, sipas fjalës që Zoti i kishte thënë Elias. |
18. | Pastaj Jehu mblodhi tërë popullin dhe i tha: "Ashabi i ka shërbyer pak Baalit, por Jehu do t'i shërbejë shumë më tepër. |
19. | Tani thirri pranë meje tërë profetët e Baalit, tërë shërbëtorët dhe priftërinjtë e tij; të mos mungojë asnjë prej tyre, sepse duhet t'i bëj një flijim të madh Baalit; ai që do të mungojë, nuk do mbetet i gjallë". Por Jehu vepronte me mashtrim për të shkatërruar adhuruesit e Baalit. |
20. | Pastaj Jehu urdhëroi: "Shpallni një festë solemne për nder të Baalit!". Festa u shpall. |
21. | Pastaj Jehu dërgoi lajmëtarë nëpër gjithë Izraelin; kështu tërë adhuruesit e Baalit erdhën dhe nuk mungoi asnjë prej tyre; hynë në tempullin e Baalit dhe tempulli u mbush plot nga një anë në anën tjetër. |
22. | Jehu i tha rojtarit të rrobave: "Nxirri jashtë rrobat për të gjithë adhuruesit e Baalit". Kështu ai i nxori rrobat për ta. |
23. | Atëherë Jehu, bashkë me Jehonadabin, birin e Rekabit, hyri në tempullin e Baalit dhe u tha adhuruesve të Baalit: "Kërkoni mirë dhe shikoni që këtu të mos ketë asnjë shërbëtor të Zotit, por vetëm adhurues të Baalit". |
24. | Kështu ata hynë për të ofruar flijime dhe olokauste. Jehu kishte vënë jashtë tempullit tetëdhjetë burra, të cilëve u kishte thënë: "Në rast se dikush lë të ikë një njeri të vetëm nga njerëzit që kam lënë në duart tuaja, do ta paguajë me jetën e tij jetën e atij që ka ikur". |
25. | Kështu, sa mbaroi oferta e olokaustit, Jehu u dha këtë urdhër rojeve dhe kapitenëve: "Hyni, vritni dhe mos lini që asnjë t'ju ikë!". Prandaj ata i kaluan në majë të shpatës, pastaj rojet dhe kapitenët i hodhën jashtë dhe depërtuan në pjesën e brendshme të tempullit të Baalit; |
26. | pastaj çuan jashtë shtyllat e shenjta të tempullit të Baalit dhe i dogjën. |
27. | Pastaj shkatërruan statujën e Baalit dhe shembën tempullin e tij, duke e katansdisur në një vend ku grumbullohen plehrat e kështu mbetet edhe sot e kësaj dite. |
28. | Kështu Jehu bëri që të zhduket Baali nga Izraeli; |
29. | megjithatë ai nuk u tërhoq nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, domethënë nga viçat e artë që ishin në Bethel dhe në Dan. |
30. | Prandaj Zoti i tha Jehut: "Me qenë se ke vepruar mirë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi, dhe i ke bërë shtëpisë së Ashabit të gjitha atë që kisha në zemër, bijtë e tu do të ulen mbi fronin e Izraelit deri në brezin e katërt". |
31. | Por Jehu nuk u kujdesua të ndiqte me gjithë zemër ligjin e Zotit, Perëndisë së Izraelit; në fakt ai nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, me të cilat e kishte bërë Izraelin të mëkatonte. |
32. | Në atë kohë Zoti filloi t'i presë disa pjesë të Izraelit; në fakt Hazaeli i mundi Izraelitët gjatë gjithë kufirit të tyre: |
33. | nga Jordani drejt lindjes, pushtoi tërë vendin e Galaadit, Gaditët, Rubenitët dhe Manasitët; nga Aroeri, që është afër përroit të Amonit, deri në Galaad dhe Bashan. |
34. | Pjesa tjetër e bëmave të Jehut, tërë ato që bëri dhe të gjitha trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
35. | Pastaj Jehun e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoahazi. |
36. | Jehu mbretëroi mbi Izraelin në Samari njëzet e tetë vjet. |
← 2Kings (10/25) → |